Butrint Imeri është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes me projektin e tij më të ri muzikor. I publikuar rreth një muaj më parë, “Xhanem”, është shndërruar në një nga projektet më të votuara në klasifikimin e “The Top List”. Për dy javë rresht, kjo këngë mban kreun e 100 këngëve me të bukura të muzikës moderne shqiptare.
Kjo këngë, e cila i përket zhanrit muzikor R&B, është mjaft ritmike dhe të sjell në mendje ditët e nxehta të verës por pavarësisht kësaj, Butrinti ka tërhequr vëmendjen e publikut edhe pse jemi në ditët e ftohta të dimrit.
Butrinti është gjithashtu pjesë e listës zyrtare të “Top Awards” edhe me tre projekte të tjera muzikore, duke vërtetuar kështu që fansat e tij besnikë, nuk heqin dorë nga muzika e publikuar disa kohë më parë nga këngëtari i tyre i preferuar.
Gjatë kësaj jave “Veç per mu”, “Bella” dhe “Mona Lisa”, pozicionohen përkatësisht në vendin e 11-të, 14-të dhe 17-të, pozicione këto mjaft të rëndësishme për listën prej 100 këngësh.
Kjo javë ka sjellë gjithashtu disa këngë të reja në listë. Capital T, Dj Dags & DJ PM feat Genc Prelvukaj dhe Mirud janë tre prurjet më të reja të listës, të cilat këtë javë kanë marrë sugjerimet maksimale nga publiku për t’u bërë pjesë e listës.
Ju mund të vazhdoni të votoni të preferuarit tuaj në faqen zyrtare të “Top Awards”:topawards.top-channel.tv. Gjithashtu po në këtë adresë, mund të na sugjeroni këngët që mendoni se duhen të jenë pjesë e këtij klasifikimi.