Stine është rikthyer në tregun muzikor pas një pauze të shkurtër por duket se këngëtari ka goditur në shenjë me projektin e tij më të ri pasi që në javën e parë të publikimit, “Bela” është bërë pjesë e “The Top List”.
Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, Stine ka zbuluar më shumë detaje për këtë projekt muzikor si dhe iu ka premtuar fansave që nuk do mungojë më kaq gjatë në tregun muzikor.
TA: Projekti juaj i fundit muzikor mban titullin “Bela”, në media qarkullon lajmi se i kushtohet një vajze me emrin Bela, është kjo e vërtetë?
Stine: Jo, në fakt nuk ka lidhje me emër apo individ, thjesht për mua frymëzimi shkon përtej një emri sepse i dedikohet të bukurës në përgjithësi.
TA: Kush është kujdesur për tekstin, muzikën dhe klipin?
Stine: Në fakt unë për çdo detaj jap idetë e mia. Teksi dhe muzika janë specialiteti im por që unë kurrë nuk mund të arrija në finale pa ndihmën e tre miqve të mi kryesor Big Badit që dha idenë, Natit që përforcoi audion dhe e modifikoi pak atë edhe Endit (Nd Film) që realizoi dhe përfundoi videon.
TA: Komplimenta për vajzat e bukura (Belas mund të themi) që gjenden në klip, janë të gjitha shqiptare?
Stine: Po të gjitha janë shqiptare ndërsa njëra nga ato, ajo kryesorja me kaçurrela (Jiny Gatuli) ka ardhur enkas nga Hamburgu i Gjermanisë të xhirojë posaçërisht në këtë video dhe që unë kam rastin ta falenderoj. Ndërsa pjesa tjetër janë të ndryshëm, disa nga pjesë e koreografisë Tan Brama, disa te grupit te kërcimit të Almendes dhe disa të agjensisë Klevi dhe Anisa. Gjithsesi kam rastin t’i falenderoj të gjithë.
TA: Ritmi i kësaj kënge duket paksa veror, mendoni se shkurti ishte muaji i duhur për t’u publikuar?
Stine: Po edhe e kam menduar këtë detaj por në fund të fundit, kam dalë në konkluzionin që kënga e mirë dhe e bukur s’ka kohë përkatëse as nuk do posaçërisht ndonjë stinë të veçantë. Nëse është vërtet e bukur dhe ecen, do të ketë sukses në çfarëdolloj kohe, muaji, ore apo çasti. Kështu që me qëllim nxorrëm këtë dhe jo një këngë tjetër.
TA: Kjo është hera e parë që gjendeni në klasifikimin e “The Top List”, si ndiheni për këtë?
Stine: Po, kjo është hera e parë dhe nuk e prisja në fakt. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e saj dhe që u riktheva sërish pranë publikut dhe audiencës time që më kishte munguar shumë. Po ashtu do jem sërish pranë kolegëve, pranë punës që unë di të bëj me mirë.
TA: Që në javën e parë të publikimit, jeni bërë pjesë e “The Top List” falë votave të publikut, e prisnit këtë reagim të fansave?
Stine: Jo, nuk e prisja në fakt as reagimin total dhe as pritjen që i bënë këngës sapo doli në rrjetet sociale dhe në televizion, gjithashtu edhe në klasifikimin e “The Top List”. Jam i mahnitur dhe ajo çfarë më ka bërë përshtypje më shumë janë urimet dhe mesazhet e shumta që më vinin çdo çast. Disa prej mesazheve ishin: “Na ke munguar”, “Mos na lër më”, “Mos bëj më kaq shumë pauzë” etj etj…
TA: Një mesazh për fansat që të kanë votuar?
Stine: I falenderoj nga zemra që më mbështesin dhe më ndjekin në çdo hap timin dhe u jap fjalën që s’do t’ju mungojë më për asnjë lloj arsyeje. Ju dua shumë.