Ardian Bujupi dhe The Ironix kanë gjetur së bashku gjuhën e përbashkët të suksesit. Pas hitit “Yarnana” tani vijnë me një tjetër projekt.
“Kosova” mban titullin kënga e tyre e re që ka hyrë këtë javë në “The Top List”. Ky projekt është i dyti brenda një kohe të shkurtër dhe ka patur një impakt të menjëhershëm.
I ftuar më herët nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana” në Top Albania Radio, Ardian Bujupi tha se mes tij dhe The Ironix janë 4 këngë bashkëpunime në këtë stil të njëjtë. Po ashtu dhe “Kosova”, njësoj si “Yarnana”, i përket rrymës afro house.
Duket se të marrësh motive të vjetra e t’i rikthesh me ritme moderne, është trendi i momentit që po përqafohet goxha nga artistët si dhe nga publiku. Megjithatë, edhe pse është pëlqyer goxha, “Kosova” nuk e ka arritur ende suksesin në listë të “Yarnana”.
Thënë kjo, kur projekti i parë i artistëve hyri në listë 4 javë më parë, arriti që të pozicionohej menjëherë në vend të parë edhe pse ende një hyrje e re, pozicion ky që e mbajti për 2 javë radhazi dhe ende nuk është larguar nga Top 5. Por me “Kosova” nuk ndodhi kështu, momentalisht kënga është pozicionuar në vend të 25-të të listës.