Anxhela Peristeri dhe Stivi Ushe kanë bashkuar forcat së fundmi për të sjellë jo një, por dy projekte të reja. Ata kanë publikuar “N’ëndrra” dhe “Morena” të cilat deri më tani janë pëlqyer shumë nga publiku. Dyshja e artistëve kanë qenë të ftuar në studion e “Live From Tirana” në Top Albania Radio për të na folur më shumë lidhur me këngët e reja dhe jo vetëm…
Stiv, çfarë do të thotë të punosh me Anxhela Peristerin?
Është fat i madh, një mirënjohje që kam sepse është një artistste që e vlerësoj shumë. Ajo ka vlerësuar talentin tim. I gjithë procesi ishte shumë i shpejtë dhe shumë i bukur dhe çdo gjë ka shkuar mjaft mirë.
Anxhela, çfarë të pëlqeu tek kënga “N’ëndrra” për ta sjellë sërish së bashku me Stivin?
Kur Stivi e ka kënduar këtë këngë, unë kam qenë spektatore dhe e kam parë live. Më bëri përshtypje zëri i Stivit, ishte një këngë me një melodi shumë të bukur. Që rrallë shikon këngë me melodi të bukura. Kështu më lindi dëshira për të bërë një këngë me të. Ishte e para “N’ëndrra” dhe pastaj erdhi “Morena”.
Stiv: Anxhela e bekoi me vokalin e saj që i dha një frymë tjetër. Mora një miqësi shumë të mirë, ishte mentore, më dha këshilla pafund. Të gjitha këto gjëra më rrisin artistikisht. Anxhela është ndër të paktët artistë që i ka mbështetur artistët e rinj.
Si erdhi krijimi i të dyja këngëve? Ja çfarë thotë Anxhela…
Ideja ishte që këngët të mos dilnin shumë nga njëra-tjetra. Xhirimet i kemi mbaruar brenda ditës. Në fillim donim që këngët të vinin në një klip të përbashkët, por pastaj menduam që t’i ndanim.
Kujt ia dedikoni këto këngë?
Stiv: Nuk ka një person specifik. Unë vendosem në një gjendje dhe e interpretoj. “Morena” i drejtohet një vajze, flet për një flirt. U zgjodh dita perfekte për Shën Valentin, ditën e të dashuruarve, sepse këtë përcjellin këto këngë.
Anxhela: Jam në një fazë që nuk jam as tek njëra as tek tjetra. Mund të jem në një fazë më të lumtur…
A ka Anxhela ndonjë ëndërr të parealizuar ende?
Unë pothuajse i kam plotësuar shumicën e ëndrrave të mia. Një gjë që më ka ngelur peng është një diskografi në Greqi. Dikur e lashë përgjysmë dhe u ktheva në Shqipëri. Nuk e di tani a është vonë për këtë.
A do bënit një duet me Luiz Ejllin? Ja çfarë thotë Anxhela…
Jam e hapur në çdo bashkëpunim. Luizi është një këngëtar shumë i mirë. Më vjen inat se pse po vlerësohet pikërisht tani si këngëtar. Disa persona nuk do bënin kurrë bashkëpunuim me të nëse nuk do hynte në “BBV”. Shqiptarët e kanë këtë që nga shkon turma shkojnë dhe ata.
Si lindi “Morena”?
“Morena” është një këngë ritmike, turma këtë do. Ishte një xhevahir që qëndrointe në studio për 3 vite. Po prisnim momentin e duhur për ta nxjerrë. Erdhi Anxhela dhe kur e dëgjoi materialin tha që këtë do ta bëjmë bashkë.
Çfarë mendimi keni për tregun muzikor shqiptar sot?
Anxhela: Tregu është në rënie. Muzika është pak ‘e bastarduar’. Nuk e di pse po vazhdon kjo frymë. Për shijet e mia, në adoleshencën tonë kanë qenë më cilësorë këngët. Pastaj është dhe kjo që prodhohen çdo muaj këngë të reja. Ti duhet t’i lësh kohën e vet secilës këngë. Kështu lodhen dhe kompozitorët dhe nuk kanë çfarë prodhojnë.
Stiv: Jam rritur me këngët e Anxhelës dhe të artistëve të tjerë nga të cilët i kam mbartur disa vlera. Njerëzit kërkojnë kontent të shpejtë. Nuk i dëgjon më njeri këngët nëse janë të gjata. Mjaftojnë të hidhen në TikTok dhe bëhen virale. Perveç masës është dhe një grup që pëlqen muzikë të mirë.