Andos Sinani, një ndër artistët më të talentuar të muzikës shqiptare, ka publikuar projektin e tij më të ri muzikor, për të cilin shprehet se është projekti më i sinqertë që ai ka bërë deri tani.
Andos, i cili ende vazhdon t’i qëndrojë besnik muzikës së tij, në një intervistë të dhënë për “Top Show Magazine”, ka thënë: “Kam bërë një kompromis me muzikën pra nëse do doja koncerte apo fitime nga këto koncerte, do bëja muzikë ndryshe por për mua muzika është shumë personale”.
E në fakt, në këtë këngë të titulluar “Ata Sy”, artisti ka ardhur mjaft romantik, për tekstin e së cilës është kujdesur sigurisht vetë.
“Eshtë një këngë shumë personale, e sinqertë ku në strofat e para flas për jetën. Këtë këngë e kam krijuar në kushte shumë të vështira pasi në studion ku unë punoj është një ambjent mjaft i mbyllur, goxha i vështirë dhe si pasojë e kushteve nuk kam shumë akses në instrumente. Kështu që ai ambjenti dhe ato momentet e vështira kanë ndikuar tek teksti i kësaj këngë”.
“Në këtë këngë kam prekur faktin se jeta na trishton, na lëndon, na forcon, na harron dhe na largon ndonjëherë nga njerëzit që nuk duam të largohemi por për arsye racionale dhe të ndryshme, thjesht duhet të jemi aty ku jemi”, shton Andos për tekstin e kësaj kënge, të cilin e ka punuar me shumë kujdes.
I pyetur nga drejtuesja e programit “Pop Culture”, Dojna Mema, se pse Andos ka vendosur të vijë kaq intim në projektet e fundit, artisti është përgjigjur: “Ndoshta mosha pasi tani gjërat i sheh ndryshe dhe muzikën e ndjen ndryshe pasi bëhet më personale dhe mbështetesh tek ajo”.
Të cilësuar si videoklipin më të bukur të karrierës së tij muzikore, Andos tregon që klipin ia ka besuar totalisht Ajola Xoxës, të cilën e falenderon pafund. Sa i përket konceptit të videos, ai kubi imagjinar nënkupton një hapësirë të sigurt për çifin në video. Ajo hapësirë në të cilën janë dashuruar, kanë patur kriza por gjithçka ka ndodhur brenda kësaj hapësire, larg nga të gjithë.
Sa i përket videoklipeve, Andos tregon se në projektet e fundit ka filluar të mos shfaqet në to pasi për artistin rëndësi ka muzika, ajo që duhet të përcjellë një mesazh dhe jo si ai duket i përqafuar me një vajzë etj.
Por edhe pse muzika është tepër e rëndësishme për Andos, i pyetur nga Dojna se kë do zgjidhte mes dashurisë dhe muzikës, ai është shprehur: “Nëse vërtet ja vlen, sigurisht që nuk do zgjidhja muzikën, do e lija disi”.
Ndërsa i kontaktuar nga “Top Awards”, për detaje të mëtejshme të kësaj këngë, Andos ka shtuar: “Kësaj here përmes tekstit dhe melodisë së këngës “Ata sy” vendosa t’i dorëzohem komplet këngës emocionalisht dhe sinqerisht uroj që adhuruesit të cilët e ndjejnë muzikën në mënyre absolute, të marrin kufjet, të gjejnë një moment kur janë vetëm, me qetësi dhe ta dëgjojnë këtë këngë. Shpresoj të kuptojnë dhe të ndjejnë emocionin e vërtetë të cilin jam munduar ta transmetoj. Shpresoj të pëlqehet dhe emocioni i aktorëve, të cilët kanë sjellë përmes performancës së tyre në videon e realizuar nga Ajola Xoxa, të cilën e falenderoj shumë”.
Por si ndihet Andos që është pjesë e “The Top List”?
“Eshtë gjithmonë e mirëseardhur kur je pjesë e një klasifikimi muzikor, sidomos të Top Channel pasi gjithçka për mua muzikalisht filloi me “Top Media” dhe të cilët i falenderoj gjithmonë për përkrahjen”