Luiz Ejlli sa vjen e po bëhet edhe më aktiv me karrierën e tij pas daljes nga ”Big Brother VIP”. Të gjitha këngët që ai ka publikuar pas daljes nga shtëpia më e famshme në Shqipëri kanë rezultuar mjaft të suksesshme. Luizi përpos xhirimeve në filmin “Në kuadër të dashurisë” ka treguar se është rikthyer edhe në muzikë gjithashtu me plot projekte, disa solo e disa bashkëpunime.

Projekti i tij i radhës mesa duket qenka një amanet për dikë të rëndësishëm në jetën e tij, pasi kënga e tij e re titullohet “Amanet”. Kënga tashmë është e disponueshme në platformën YouTube që nga ora 19:00. Fansat mesa duket po numëronin minutat mbrapsht në seksionin e komenteve teksa kënga po publikohej. Reagimet e deritanishme janë mjaft të mira dhe si duket edhe suksesi i kësaj kënge do të jetë i garantuar.

Pas përfundimit të spektaklit televiziv, Luizi ka filluar të marrë pjesë në shumë koncerte, madje deri tani ka publikuar edhe 3 këngë të tijat, 2 prej të cilave solo dhe njërën bashkëpunim me Donald Veshaj. Por mesa duket, Donaldi nuk qenka i vetmi personazh i njohur me të cilin ai do të bëjë bashkëpunim. Pas këngës “Amanet” këngëtari nga Shkodra ka premtuar edhe një sërë bashkëpunimesh të tjera me artistë mjaft të njohur shqiptarë.