Alban Skënderaj ka realizuar një koncert recital më parë, ndër artistët e pakët shqiptarë që e ka një arritje të tillë në repoertor, falë hiteve dhe muzikës që na ofron prej vitesh tashmë, megjithatë tani duket se këngëtari do t’i dhurojë fansave të tij dhe pse jo, gjithë shqiptarëve, një tjetër natë magjike, këtë herë me përmasa akoma më të mëdha. 

Kështu, me anë të një postimi në Instagram, bashkangjitur posterit zyrtar, me shumë rreshta Albani njofton se do të mbajë një koncert në stadiumin “Air Albania”, që do të titullohet “Motiv i jetës time” dhe që përshkruan jo vetëm një nga hitet e tij më të mëdha, jo vetëm 20 vitet në skenë, por edhe gjithë rrugëtimin në muzikë. 

Skënderaj përshkruan gjithë emocionet që ndjen, teksa nis “aventurën” për të na dhuruar një super shfaqje më 6 qershor, po ashtu rrëfen emocionet që ka kaluar bashkë me publikun e tij në vitet që u kthyen në dekada, ndërsa na përshkruan pak edhe nga ajo që do shohim në skenë, edhe pse detaje të tjera me gjasë do i mësojmë në vazhdim. Këngëtari bëhet kështu i dyti që do të mbajë një koncert në “Air Albania”, pas Elvana Gjatës vitin e shkuar, ndërsa premton edhe ai një super shfaqje.