Sot në emisionin “Live from Tirana” në Top Albania Radio ishte i ftuar në studio producenti dhe këngëtari Alandy. Pak ditë më parë Alandy ka publikuar këngën e tij më të re të titulluar “AM DO” në bashkëpunim me artistin e njohur Stine.

Pse pikërisht e ka titulluar kështu Alandy këngën?

Thjesht një pyetje për publikun: ‘A më doni apo nuk më doni?’.(qesh) Kjo këngë është 50 me 50 Alandy. Jemi munduar të sjellim një këngë pozitive. Është një këngë afro pop-dance deri diku. E kam shumë xhan Stinen, është një nga producentët e mi të preferuar dhe e kam shumë shok. Kemi folur prej vitesh për këtë bashkëpunim por si prindër me fëmijë kemi pasur shumë angazhime. Shpresoj të ketë sukses.

Alandy njihet si një besnik i rrymave Afro-Reggae, sa e vështirë është të kesh të tilla rryma në 2021?

Nëse bën atë që të pëlqen, atë që ndjen është Ok. Unë kam kënduar Reggae prej vitesh, pastaj kur nisa bashkëpunime me Dhurata Dorën dhe Young Zerkan u shpërnda pak stili dhe po mundohemi t’i rikthehemi përsëri sepse mungon pozitiviteti.

Çfarë muzike pritet të sjellë në vitin 2022 Alandy?

Rrymën Afro-Pop.

Çfarë e pengon sot një artist të bëjë një muzikë që do? Alandy shprehet:

Edhe gjendja financiare ndikon shumë te një artist. Zëra ka shumë por karakteri është problem. Njerëzit kanë talent por problemi është kur ulesh të bësh një bisedë apo një plan nuk ke me kë të flasësh.

Ndonjë gjë gazmore nga prapaskenat e këngës me Stinën a ka patur?

Kënga u nis 2 muaj para. Stine ishte shumë i angazhuar dhe më merrte në telefon më thonte: ‘Do takohemi maestro?’ dhe asnjëherë nuk vonohej në takim, është shumë korrekt dhe profesionist. Unë jam njeri që nuk pres, nuk kam durim.

Rryma që i mungon Stines sipas Alandy-t?

Sa kam dëgjuar nga albumi i tij i ri nuk i mungon asgjë. Ka shumë këngë të bukura. Është stili i tij që e do i gjithë populli.

A ka projekte të reja Alandy?

Shumë gjëra na presin. Pres të shoh reagimin sepse deri tani jam i zhgënjyer, prita më shumë suport por gjithsesi i jam mirënjohës për çdo gjë publikut sepse kjo na ka mbetur. Koncerte nuk bëjmë më, shpresoj të lançoj sa më shumë gjëra por gjithmonë në varësi të reagimit nga publiku.

”AM DO” ishte një hyrje e re për këtë javë dhe momentalisht renditet në vend të 91-të të klasifikimit të “The Top List”.