David Dreshaj ka publikuar këngën e tij më të re që mban titullin “Lady Flame”. Një projekt plot energji dhe vibe pozitiv, që është pjesë e “The Top List” prej dy javësh tashmë. Por a e dinit historinë interesante që fshihet pas kësaj kënge? Ja çfarë ka zbuluar Davidi në rrjetet sociale:
Kjo këngë më ka ardhur dhuratë papritmas nga një politikan me profesion dhe një tekstshkrues shumë i talentuar, i quajtur Arianit Abazi. Arianiti më telefonoi një ditë dhe dëshironte të takoheshim që të ma prezantonte si surprizë. Rashë në dashuri pas disa dëgjimesh kur Arianiti ma prezantoi, dhe menjëherë e mora për vete dhe e pranova ta bëj pjesë të repertorit, CV-së dhe katalogut tim artistiko-muzikor.
Kur e pyeta pse dëshironte që ta këndoja dhe interpretoja unë, dhe pse donte t’i jepja unë vulën dhe emocionin në mënyrën time, këtij projekti–materiali muzikor, ai m’u përgjigj se dëshironte që linja melodike, teksti dhe fjalitë të tingëllonin e të dëgjoheshin më bukur dhe të përcilleshin më mirë te publiku, sepse – sipas tij – kam një zë e ngjyrë, timbër shumë të bukur, unik dhe të veçantë. Ai shtoi se mendon që unë jam zëri më i bukur shqiptar mashkullor.