Young Zerka ka ardhur me një tjetër bashkëpunim dhe kësaj radhe zëri i tij i ka kaluar kufijtë shqiptar. “Lule Bore” mban titullin kënga më e re e Young Zerkës, e cila është një bashkëpunim me dj dhe producentin gjerman Jumpa. Duket se Young Zerka ka bërë zgjedhjen e duhur pasi kjo këngë është futur menjëherë në klasifikim, duke zënë vendin e 9-të.

Po si lindi ky bashkëpunim mes Zerkës dhe Jumpa? Për këtë dhe shumë detaje të tjera të këtij projekti, Young Zerka ka folur për “Top Awards”, duke zbuluar gjithashtu edhe surprizat që ka së shpejti.

TA: Si lindi bashkëpunimi me Jumpa?

Young Zerka: Bashkëpunimi me Jumpa nisi nga rrjetet sociale. Ishte Jumpa ai që më kontaktoi, duke më parë projektet e mia në “Youtube” dhe “Spotify” dhe më ftoi në Berlin për “studio session”.

TA: Pse zgjodhe të bashkëpunoje me një producent gjerman?

Young Zerka: Më pëlqen shumë të bashkëpunoj me producenta si në trojet shqiptare por edhe jashtë sepse besoj se përshtatem shumë mirë për shkak të stilit dhe teksteve në anglisht.

TA: Pse titulli “Lule Bore”? Për çfarë flet kjo këngë?

Young Zerka: “Lule Bore” është e thjeshtë dhe shumë e përdorshme në ditët e sotme…

TA: Eshtë pritur mjaft mirë nga publiku shqiptar, e prisnit këtë reagim?

Young Zerka: Të them të drejtën jo por kënga ka ritëm, shumë pozitivitet dhe e kërcyeshme për klub.

TA: Renditeni në vendin e 9-të të “The Top List” që në javën e parë të publikimit të këngës, çdo të thotë kjo për ju?

Young Zerka: Falenderoj të gjithë votuesit dhe publikun për përkrahjen dhe mbështetjen si edhe “Top Channel”.

TA: Ju më shumë preferoni bashkëpunimet apo këngët “solo”?

Young Zerka: Unë i preferoj të dyja bashkë por për momentin bashkëpunimet janë më në mode dhe më “in” në tregun muzikor.

TA: A ka ndonjë artistë shqiptarë/të huaj që nuk do bashkëpunoje kurrë?

Young Zerka: Jo, unë gjithmonë do të bashkëpunoja me këdo që do të përshtatesha, si i huaj dhe si në tregun shqiptar.

TA: Projekti i radhës është gati, kur do publikohet? Na zbulo diçka më shumë?

Young Zerka: Po, projekti i fundit është gati dhe është xhiruar në Zvicër dhe është një nga projektet që është investuar shumë. Do të jetë sërish një bashkëpunim dhe në këtë projekt vi pak ndryshe sepse këndoj portugalisht. Si gjithmonë më pëlqen shumë të eksperimentoj, sidomos sot që muzika nuk ka më barriera. Kënga shpresoj do të jetë gati më 15 mars.