Edona Reshitaj ështe një artiste nga Kosova e diplomuar për aktrim, por Edona ka gjithashtu një tjetër talent, muzikën. Ajo ka nisur të këndojë që në moshë të vogël por në fillim të vitit 2006, ajo ka formuar grupin e saj muzikor, më të cilin jep vazhdimisht performanca “live”.

E vlerësuar me disa çmime të rëndësishme në ceremoni të ndryshme si brenda dhe jashtë vendit sa i përket aktimit, Edona është rikthyer në treg duke sjellë projektin e dytë muzikor të titulluar “Në rrugët e këtij qyteti”. Kjo këngë, e cila është publikuar në fund të muajit tetor, është bërë këtë javë pjesë e “The Top List”. Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, artistja ka zbuluar më shumë rreth këtij projekti muzikor.

TA: Kush është më i rëndësishëm për ty, aktrimi apo muzika?

Edona: Aktrimi dhe muzika peshojnë njëlloj tek mua. E gjej veten në mes tyre, si dy krahë. Pa njërën prej tyre ndihem e mangët, kështu që ato më kompletojnë si artiste. Dallimi mes tyre qëndron në atë që aktrimi nuk është i vetëmenaxhueshëm, për shkak të punës kolektive, provave, shfaqjeve, xhirimeve, që caktohen nga produksioni dhe i përmbahet një grup i tërë, ndërsa muzika është më individuale, të cilën e menaxhon vetë, duke sakrifikuar shpesh në kohën e angazhimeve intensive në aktrim. Kjo është edhe arsyeja pse unë shumë rrallë dalë me projekte muzikore, (duke mos i llogaritur performancat “live” që i mbaj rregullisht sepse menaxhohen më lehtë). Pikat ku puqen këto dy degë arti, janë shfaqjet muzikore, ku kam patur fatin të luaj në shumë projekte të tilla. Aty gërshetohen mrekullisht aktrimi dhe muzika, duke më permbushur mua plotësisht.
TA : A është ky projekti i parë muzikor?
Edona: Ky është projekti im i dytë, sa i përket këngëve origjinale. Kënga ime e parë, e realizuar me klip është “Asgje nuk ndryshojme”, pjesë e “Top Fest 9”, ndërsa si projekte muzikore në përgjthësi, kam realizuar një album “live” nga koncerti im “E Kuqja dhe E Zeza”, dedikuar Festës së Flamurit Kombëtar, i cili ka qënë premierë 28 Nëntorin e kaluar, ndërsa këtë vit do ta lançoj në kanalin tim zyrtar në “Youtube”. Ky album përmban 11 këngë të vjetra, të trevave të ndryshme shqiptare, të rikthyera me përpunime të stilit dhe zhanrit tim muzikor. Gjithashtu kam të realizuar edhe një “Unppluged” me titull “Thesar”, i cili do të lançohet në “Youtube” gjithashtu dhe shpresoj të jem më afër edhe me publikun në Shqipëri. Pastaj kam shumë “cover” të këngëve të huaja, të cilat i kam realizuar si tribute për artistë të mëdhenj, që nuk jetojnë më.

TA: Kush është kujdesur për muzikën, tekstin edhe klipin e “Në rrugët e këtij qyteti”?
Edona: Tekstin dhe kompozimin e këngës i kam bërë vetë. Aranzhimin e kam bërë me anëtarët e bendit tim: Art Lokaj-Kitare, Enver Muhamedi-Kontrabas, Fatjon Miftaraj-Piano, ndërsa e kam inçizuar në studion e Samer Agollit  “Red Room Records” në Prishtinë. Këngën e kam realizuar dy vjet më parë, ndërsa klipin nuk kam patur kohë ta realizoj deri tani, pikërisht për shkak të angazhimeve si aktore. Për klipin kam bashkëpunuar me “A&G Production”, me të cilët njihemi prej kohësh, jemi kolegë edhe në sferën e aktrimit dhe komunikimi është më i lehtë, bazuar në kërkesat e mia.

TA: Kujt qyteti i dedikohet kjo këngë?
Edona: Kjo këngë nuk përcakton vetëm një qytet, por i dedikohet çifteve që kalojnë nëpër rrugët e secilit qytet.

TA: Ku dhe kur është regjistruar ky videoklip?
Edona: Meqë kënga përshkruan takimin e shpeshtë dhe të rastësishëm të një çifti në rrugët e një qyteti dhe zhvillon ngjarjen me bashkimin e tyre jetësor, që përshkon të gjitha stinët e vitit, edhe neve na është dashur një kohë e bukur e gjatë për t’i prekur të gjitha stinët nga pak, pra rreth një viti. Pjesa dërmuese është xhiruar në rrugët e qytetit të Londrës dhe pjesa tjetër në Ulqin dhe Prishtinë.

TA: Cili qytet shqiptar të pëlqen më shumë?
Edona: Nuk i kam vizituar të gjitha qytetet shqiptare për ta dhënë një përcaktim, sepse e di që ka shumë qytete të bukura në vendin tonë, për këtë arsye nuk dua t’ui hy në hak vetes për të përzgjedhur më të pëlqyerin.

TA: Jeni bërë pjesë e një prej klasifikimeve më të rëndësishme të muzikës moderne shqiptare, si ndiheni për këtë? E prisnit këtë sukses?
Edona: Më vjen shumë mirë që kam hyrë në këtë klasifikim dhe jam e befasuar për të mirë për te gjithë ata që kanë votuar, sepse në këtë kohë është shumë e qartë për mua që klikime dhe vota marrin këngët e zhanreve aktuale, tek të cilat unë nuk korrespondoj aspak. Nuk e kam menduar dhe as pritur këtë sukses, për këtë arsye jam e ngazëllyer me këtë lajm, jo pse unë kam hyrë në këtë listë por pse ka adhurues të muzikës që bëj unë, edhe pse nuk është shumë “trendi” i kohës.

TA: Një mesazh për fansat që të kanë votuar.
Edona: I falenderoj shumë për përkrahjen. I ftoj të më ndjekin në kanalin tim zyrtar në Youtube, ku do të shohin dhe dëgjojnë shumë muzikë të bukur, veçanërisht muzikën e vjetër shqipe, e cila na identifikon si komb, si vlera artistike dhe është një pasuri e çmuar që e kemi dhe çdo i ri duhet ta njohë, ta adhurojë dhe ta ruajë me dashuri.