menu

Kreu nuk ndryshon, “Merri Merri” i afrohet fronit ndërsa “Dashni me raki” zë vendin e tretë

Kjo javë ka ardhur me një sërë ndryshimesh sa i përket renditjes së këngeve në “The Top List”, përveç kreut, ai nuk ndryshon, mbetet i njëjtë. Për 6 javë rresht, Unikkatil dhe projekti i fundit muzikor, “Ni Milion Rrugë” vazhdon të mbajë fronin e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

Duket se mungesa e gjatë që artisti ka bërë në tregun muzikor, është shpërblyer më së miri nga ana e fansave, të cilët nuk rreshtin së dëgjuari edhe votuari artistin e tyre të preferuar.

Sipas komenteve të bëra në rrjetet sociale, shumë fansa të artistit shprehen dhe janë të vendosur se Unikkatil nuk do ta lëshojë vendin e parë deri në publikimin e projektit të ardhshëm muzikor.

Një tjetër projekt i suksesshëm këtë verë është edhe bashkëpunimi i Ledrit dhe Butës, “Merri Merri”, një këngë që ka 4 javë që është pjesë e klasifikimit të “The Top List”. Falë mbështetjes së fansave, kjo këngë i është afruar shumë kreut të listës, duke zënë vendin e dytë për këtë javë.

“Dashni me raki” titullohet bashkëpunimi më i ri i Ghetto Geasy dhe Flori Mumajesi, i cili është pritur mjaft mirë nga ana e publikut. Që në javën e parë të publikimit, kjo këngë është futur menjëherë në listën e 100 këngëve më të bukura të javës, duke treguar kështu efektin pozitiv që kjo këngë ka sjellë tek publiku shqiptar. Gjatë kësaj javë, ky projekt muzikor është ngjitur me 17 pozicione, duke zënë vendin e tretë, një pozicion ky mjaft i rëndësishëm.

Sa i përket projekteve të reja muzikore, 8 të tilla i janë shtuar listës këtë javë, duke lënë jashtë disa prej projekteve që për një kohë të gjatë qëndorinin në “The Top List”.