Me talentin e Keisit, ne jemi njohur në “The Voice of Albania 4”, e cila arriti t’ja dilte deri në raundin e “knouckouts”.

Keisi, e cila është zhvendosur në Angli që kur ishte vetëm 1-vjec, në fakt ka nisur të merret me muzikë që në moshën 15-vjecare duke marrë pjesë në një “talent show” ku ka mundur të arrijë deri në gjysmëfinale.

19-vjecarja, e cila momentalisht studion në një prej universiteteve më të mira në Angli për muzikë, ka vetëm pak javë që ka publikuar projektin e saj të parë muzikor të titulluar “Sa larg”.

Por duket se kjo këngë është bërë menjëherë e pëlqyer për publikun shqiptar, i cili  përmes votave  ka mundur të bëjë Keisin pjesë të “The Top List”

E kontaktuar nga Top Awards, Keisi ka zbuluar disa detaje më tepër lidhur më këngën e saj të parë.

Sa i përket tekstit dhe muzikës, këngëtarja është shprehur se Liberian Selimi është marrë me muzikën, me tekst nga Timi ndërsa ajo ka shtuar se klipi është xhiruar në Prishtinë.

Top Awards: Keni qënë vetëm 1-vjece kur jeni zhvendosur në Angli, pse vendosët që të vini me një këngë në gjuhën shqipe dhe jo angleze?

Keisi: Vendosa ta publikoj të gjithë këngën në gjuhën shqipe sepse momentalisht po bëj këngë për publikun shqiptar, kështu që dua që të gjithë ta kuptojnë atë cfarë unë këndoj. Më vonë, nëse gjërat shkojnë ashtu sic unë dëshiroj, do më pëlqente gjithashtu të bëja disa këngë në gjuhën angleze, në mënyrë që muzika ime të dëgjohet edhe në vende të tjera.

TA: Si ndiheni që jeni pjesë e klasifikimit të “The Top List”?
Keisi: Jam shumë e lumtur që jam pjesë e 20 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare pasi është kënga ime e parë dhe është shumë bukur që njerëzit po e pëlqejnë muzikën time.

TA: Një mesazh për të gjithë fansat që të kanë votuar…
Keisi: Thjesht faleminderit të gjithë atyre që kanë patur kohë të votojnë për mua dhe që kanë mbështetur këngën time të parë, duke bërë që ajo të jetë pjesë e këtij klasifikimi.