Kjo javë në “The Top List” ka sjellë me vete 3 artistë të rinj që debutojnë në Top Awards. Me një talent të madh dhe secili shumë i ndryshëm nga tjetri, le të njihemi më shumë me ta…
Bletapertace është ndër artistët më të rinj të skenës muzikore shqiptare por me një talent të rrallë që bie menjëherë në sy. bletapertace, është një emër i ri që bën zhurmë me veçantinë e tij të miksimit të disa zhanreve. Ky artist në rritje bashkon Trap, Cloud Rap dhe Hard Trap në një përzierje unike dhe të pëlqyeshme. Diçka është pak por e sigurtë, do të tërhiqeni menjëherë nga loja e tij e zgjuar e fjalëve, ritmi dhe rimat tërheqëse. bletapertace është më shumë se një emër i ri i tregut, ai është e ardhmja e hip-hopit shqiptar.
Sahati është një artiste kosovaro-kanadeze, e cila ka bërë dhjetëra paraqitje në festivale në Evropë dhe Kanada, duke përfshirë hapjen për Dua Lipa dhe Miley Cyrus. Pa kufizime muzikore në procesin e saj, muzika e Sahatit shkrihet dhe alternohet mes new-wave dhe indie pop, shqip dhe anglisht. Sahati është përkufizimi i një artisteje shumëdimensionale, ajo këndon, luan piano, bateri, bas dhe shkruan tekstet e saj. Po ashtu ajo është dhe producente e cila gjithashtu drejton dhe monton videot e saj.
Karriera muzikore e Arbër Lufo filloi që në moshën 5-vjeçare, kur babai e regjistroi në kursin e pianos. Ky ishte hapi i parë drejt një udhëtimi të gjatë e të pasur me muzikë. Në moshën 12-vjeçare, pasionin e tij e pasuroi më tej duke filluar të mësonte kitarën dhe më vonë, u diplomua si kitarist klasik. Ky sukses i dha atij shtytjen për të thelluar njohuritë e tij dhe për t’u specializuar në Music Production dhe Sound Engineering, ku arriti rezultate të shkëlqyera. Edhe pse pjesën më të madhe të jetës së tij ka qenë i rrethuar nga muzika klasike, gjithmonë ka qenë i intriguar nga muzika perëndimore. Ky interes e ka ndihmuar Arbrin që të krijojë një stil unik që ndërthur harmoninë dhe strukturën klasike me energjinë dhe lirinë e formave bashkëkohore të muzikës. Aktualisht, ai po konsideron rrugëtimin e tij si DJ, me fokus në Afrohouse dhe Deep House, një përzierje që përfaqëson tingullin e tij të tanishëm.