Të gjithë kanë kujtime të bukura të grupit me famë botërore, Backstreet Boys. Pavarësisht se e ndërprenë karrierën e tyre muzikore, 5 anëtarët e grupit, Nick Carter, Howie Dorough, Brian Littrell, AJ McLean, and Kevin Richardson, u rikthyen sërish bashkë në majin e këtij viti, duke festuar 25-vjetorin e formimit të grupit. Edhe pse tashmë nuk janë më djemë, pasi kanë kaluar plot 25 vite, grupi i famshëm momentalisht gjendet në një turne muzikor. E kush mund ta besonte që pas një çerek shekulli, ky grup do ishte sërish bashkë!!!

West Side Family

Por të njëjtën rrugë ka ndjekur dhe grupi i njohur shqiptar, West Side Family, duke u rikthyer në tregun muzikor shqiptar pas thuajse 15 vitesh edhe pse pa njërin prej anëtarëve, Dr. Florin, i cili u nda nga jeta në vitin 2014.  Treshja e talentuar, Dr. Flori, Landi dhe Miri, nisën karrierën e tyre muzikore rreth viteve 1996-1997, duke u shndërruar në grupin më të preferuar të momentit në atë kohë. Edhe pse tepër të suksesshëm, këngëtarët u shkëputën nga muzika për një kohë të gjatë por ishte viti i kaluar, ai që e solli këtë grup sërish në qendër të vëmendjes me projektin muzikor “Beso”, i cili rezultoi tepër i pëlqyer për publikun shqiptar, duke u bërë pjesë e”The Top List”.

Spirit Voice

Spirit Voice ishte grupi i parë shqiptar, i cili përbëhej nga vajza dhe ato ishin Dorina Tiko, Angjelina Gilardi, Larisa Haxhi dhe Soni Malaj e më pas edhe Elia Zaharia. Vajzat kishin gjithashtu në grupin e tyre edhe një saksofon Briken Guga. Ishte pikërisht vito 1997 kur vajzat dolën për herë të parë për të kënduar, duke sjellë një trend të veçantë në muzikë. Në vitin 2000, anëtaret e grupit nisën të largohen njëra pas tjetrës për arsye të ndryshme dhe si pasojë grupi u shpërbë. E vetmja anëtare e grupit që ka vijuar të merret me muzikë është Soni Malaj. E pyetur nga “Top Awards” nëse “Spirit Voice ” do të rikthehej sërish pas kaq shumë vitesh, Soni Malaj është përgjigjur: “Unë jam rikthyer me menaxherin që ka formuar “Spirit Voice”, Alban Karabashi. Ndërsa vajzat e tjera kanë vazhduar projektet dhe karrierën e tyre por që e kemi lënë të hapur si projekt sa i përket rikthimit”.

The Dreams

Një tjetër grup i njohur i atyre viteve ishte “The Dreams”, i cili fillimisht përbëhej nga Flori Mumajesi, Eriost Ballushi dhe Erson Shabani. Në vitin 2002, Flori vendosi të largohej nga grupi për të vijuar karrierën e tij “solo”, ndërsa vendi i tij u zëvëndësua nga Ermal Mamaqi. Por a do të rikthehej “The Dreams” së bashku sërish? Ermali është përgjigjur shkurt se nuk e ka menduar të rikthehet me djemtë e tjerë të grupit.

Produkt 28

Të krijuar në vitin 2002, Produkt 28 është një tjetër grup që nuk bashkëpunon më me njëri-tjetrin. Tre djemtë e talentuar Alban Kondi, Fabian Basha dhe Turjan Hyska kanë prodhuar disa projekte muzikore të suksesshme për atë kohë si dhe kanë bashkëpunuar me emra të njohur në fushën e muzikës si Besa Kokëdhima, Vesa Luma, Juliana Pasha, Eneda Tarifa dhe shumë të tjerë. Edhe pse ka ndaluar së prodhuari muzikë, Produkt 28 mbahet mend për disa hite muzikore si “Shqipe”, “Trokas” etj. Pavarësisht suksesit, i pyetur nëse grupi mendon të rikthehet sërish, Turjan Husko është përgjigjur: “Për momentin nuk e kemi në plan por kurrë mos thuaj kurrë”.

Votra

Ky grup u bë tepër i famshëm për publikun shqiptar me pjesëmarrjen e tij në “Top Fest 2”, ku fituan edhe çmimin si grupi më i mirë. Bëhet fjalë për grupin e njohur Votra, i cili përbëhej nga Armend Fejzullahu, Lulzim Mulolli, Amur Mehmeti dhe Neil Thom. Ndërkohë që ky grup është ndarë, vokalisti i tij, Armendi ka vijuar karrierën e tij “solo”. I pyetur nëse ka menduar ndonjëherë ta sjellë në jetë grupin “Votra”, artisti është përgjigjur: “Me kënaqësi do të kthehesha si grupi Votra sepse dhe sot pas 12 vitesh nga shpërbërja e grupit, akoma më shkruajnë me nostalgji dashamirësit e muzikës tonë dhe ku do që shkoj akoma njerëzit më pyesin pse u ndalëm, që më bën të mendoj se muzika jonë ka lënë gjurmë në kanalet e krijimtarisë muzikore në përgjithësi dhe asaj indie-rock në veçanti. Ka edhe shumë artistë tjerë që më kanë thënë se janë rritur në vitet e adoleshencës me këngët tona.

Pavarësisht nëse rikthehen apo jo sërish në tregun muzikor shqiptar, një gjë është e sigurt, këto grupe të lartpërmendura kanë lënë gjurmë në muzikën shqiptare dhe janë duartokitur pafund nga publiku, i cili ende vazhdon i dëgjon këngët e tyre.