Ndërkohë që projektin muzikor “Beso”, West Side Family e ka cilësuar si një vazhdim të asaj çfarë Dr. Flori kishte lënë, kënga më e re e këtij grupi e ka kthyer atë në origjinë.

E publikuar vetëm një javë më parë, projekti më i ri i titulluar “Komshia”, ka marrë menjëherë vëmendjen e publikut shqiptar, i cili me siguri është ndjerë nostalgjik për ritmet e West Side Family.

Në një intervistë të këndshme të dhënë për “Top Show Magazine”, Landi dhe Miri kanë dhënë më shumë detaje për prodhimin e tyre më të ri, i cili për hir të së vërtetës është mjaft i nxehtë.

Pavarësisht se Dr. Flori nuk është i pranishëm në këtë projekt muzikor, dora e tij ndihet dhe West Side Family vazhdon të ruajë atë lloj standarti muzikor.

Për hir të së vërtetës është një projekt i freskët por si ide është e kahershme por tashmë u bashkuan kushtet për t’u publikuar. Jemi të lumtur që kushdo që e dëgjon thotë se është West Side Family. Pavarësisht se Dr. FLori nuk është fizikisht, dora e tij është aty“, është shprehur Landi.

I pyetur nga gazetari, Ervin Kurti, nëse grupi po mendon ta modernizojë paksa rrymën muzikore për të mos qënë kaq shumë tradicional pasi “Komshia” është e ngjashme me të gjitha këngët e grupit, Landi është përgjigjur: “Kemi diçka në plan me djemtë që po punojmë me Alban Kondin, Klodian Qafoku dhe Fabian Basha për të sjellë diçka më kontemporane por që do jetë prap dora e West Side“.

Ndërsa Armiri ka thënë: “Pavarësisht se muzika sot është ndryshe, ka një tjetër trend, përdoren të tjera tinguj, kam përshtypjën që nuk duhet të funksionojë ashtu pra të ruajmë identitetin. Ideja është që ne si West Side kemi bërë një këngë që duhet të ishte në frymën e West Side, që ta identifikojë grupin që në momentin që ajo fillon. Ndoshta është edhe risk por kam përshtypjen se me kaq shumë reagime që kemi patur në këto pak ditë, kemi patur të drejtë që kemi ardhur kështu”.

Të pyetur nëse do ishte më mirë që të kishin përdorur tekstin në dialektin e Kosovës, siç të gjithë artistët bëjnë së fundmi, Landi ka thënë: “Në Shqipëri vitet e fundit muzika ka patur një presion të madh, ku shumë artistë kanë humbur identitetin, duke bërë diçka që nuk e kanë të tyren, këngë në të cilat flasin shqip por nuk janë shqip. Në nuk duam të tjetërsohemi në atë farë forme, ta humbin substancën aq sa njerëzit të mos na njohin. West Side do i përshtatet ritmit, kohës dhe do eci me të njëjtin kualitet por kurrësesi të shpërfytyrohemi”.

“Çfarë bën West Side Family i rri më së miri West Side”, ka shtuar Miri.

Sa i përket klipit, dy djemtë e talentuar kanë thënë se është xhiruar në Piqeras dhe se xhirimet kanë zgjatur vetëm një ditë.

Ndërsa sa i përket projketit muzikor “Komshia”, Miri ka shpjeguar se më këtë titull i referohet fenomenit, pra është ajo vajza e bukur e pallatit, e lagjes që i çmend të tërë. Ajo dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes, pra do të luajë me të gjithë por nuk do të zgjedhë dikë.

Të pyetur nëse po punojnë për ndonjë projekt të ri muzikor, Miri me shaka ka thënë: “Po pritur o vëlla të marrim frymë“.

Që në javën e parë të publikimit, kjo këngë jo vetëm është bërë pjesë e klasifikimit por është renditur në vendin e 30-të, një pozicion tepër i rëndësishëm për listën e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.