I ftuar në emisionin “Pardon My French” në Top Albania Radio ka qenë finalisti i këtij edicioni të pestë të “Big Brother VIP”, Armir Shahini ose ndryshe Miri i West Side Family. Ai ka zbuluar më shumë detaje në lidhje me eksperiencën, rrugëtimin dhe dinamikat e lojës së tij në shtëpinë më të famshme në Shqipëri.
A ka qenë një rrugëtim jo i lehtë ky për Mirin?
Të them të drejtën po, nuk ka qenë e lehtë sepse ky Big Brother për mua ka qenë një eksperiencë komplet ndryshe sepse mund ta mendoja si ishte por si e jetova ishte komplet diçka tjetër dhe jam i kënaqur në fakt me atë që kam jetuar aty. Eksperienca ishte shumë e fortë, shumë.
Ka pasur raste që Miri ka gënjyer ndonjëherë gjatë qëndrimit të tij në shtëpinë e Big Brother?
Jo, aty brenda jo asnjëherë. Jam përpjekur që të jem i vërteti sepse faktikisht unë edhe në jetën reale ashtu jam. Jam njeri i vërtetë, natyrshëm batuta kur vjen.
E kishte menduar ai para se të hynte në BBV se çfarë mund të ndodhte apo që do të ishte në finale?
Kam pasur shumë mendime para se të hyja sepse vetë formati të bën që ti të mendosh shumë gjëra, por ato bien poshtë sepse ti përballesh me situata dhe dinamika të cilat ti nuk i imagjinon dot. Dhe të përballesh direkt me një situatë aq të fortë sa hyn brenda, çdo plan të bie poshtë. Pastaj vazhdon me instiktin, është ai që të bën të ecësh përpara me situatën që të vjen përballë.
Në cilën pikë të lojës Miri e kuptoi që ishte shumë i fortë? Si kanë qenë ndjesitë për të?
Kanë qenë shumë momente që më vinte kjo ndjesia. Nuk e dija se si ishte jashtë situata por mendoja që në disa momente të caktuara kam qenë i fortë jashtë. Një nga momentet ka qenë në fillim kur e gjithë shtëpia ishte kundra meje për situatën që ishte krijuar dhe pastaj një moment tjetër ka qenë po themi kur u ndamë nga ortakëria që kishim dhe krijova atë frontin e fortë kundra kundërshtarëve që kishim përballë dhe në një moment kur strategjitë e mia kishin efekt.
I mbeti peng Mirit vendi i dytë?
Jo, nuk më mbeti peng. Do të gënjeja po të thoja që nuk e doja vendin e parë sepse është një garë dhe të gjithë e duan vendin e parë sidomos kur je aq afër. Por kur ti kupton që ke fituar çmimin e publikut ne gjithmonë edhe si West Side Family kemi qenë në gara të ndryshme dhe nuk e kemi marrë çmimin e parë por kemi marrë çmimin e publikut dhe nuk është e rëndësishme për të marrë atë që është në lekë apo euro, por është e rëndësishme për të marrë çmimin e publikut dhe unë kam marrë dashurinë e publikut, gjënë më të shtrenjtë që unë i kam kushtur jetën time.