Pas përfundimit të aventurës së tij në “Big Brother VIP”, finalisti Miri Shahini është rikthyer në rrjetet sociale me një postim që ka tërhequr vëmendjen. Në mesazhin e tij në Instagram, ai ka zgjedhur t’ua dedikojë fjalët falënderuese fansave dhe njerëzve të afërt, të cilët e mbështetën gjatë gjithë rrugëtimit.

Faleminderit nga zemra çdo njërit prej jush!

ASNJË FJALIM NUK MJAFTON PËR T’JU SHPREHUR ME PËRULJE MIRËNJOHJEN!

Ky rrugëtim në Big Brother VIP Albania 5 nuk ishte thjesht një lojë, ishte një përplasje me kufijtë e shpirtit, me heshtjet që bërtasin dhe me zërin që ndonjëherë duhet të ngrihet, edhe me forcë, madje edhe kur të gjithë duan ta ulin. Eca në një vijë të hollë, aty ku karakteri sfidohet dhe maskat bien. Jo gjithmonë i përkryer, por gjithmonë i vërtetë.

Ka pasur momente kur loja u bë më shumë se lojë, kur fjalët peshonin më shumë seç duhet dhe raportet ndryshonin si era.

Disa rivalitete lindën natyrshëm, disa të tjera u kërkuan me ngulm. Me disa mbetëm përballë, me disa në një vijë gri mes mikut dhe “kundërshtarit”, aty ku vetëm koha tregoi çfarë ishte e vërtetë.

Nëse ndonjëherë dola përtej kufijve të mi, ishte sepse luftova fort. Por gjithmonë u ktheva tek ajo që më përfaqëson: respekti, dinjiteti, mirësia, pra vlerat dhe ai “zotnillëk” që ju ma keni dhënë si vulë.

Shumë të dashur, mamaja, babai dhe vëllai im, familja ime e parë, ju që më mësuat me fjalë e vepra se nuk ka rëndësi të fitosh botën nëse ke humbur shpirtin. Ju dua e ju jam mirënjohës!

Dhe për vajzën Artisia dhe bashkëshorten time Rabea, faleminderit që më keni mbështetur pa lëkundje dhe që në mënyrë të veçantë Tl Rabea e ke kuptuar lojën në çdo moment. Ke qenë e fortë për të dy nga fillimi e deri në fund.

Për Landin dhe Albanin, nuk ka fjalë që e përshkruan një jetë bashkë. Keni qenë aty, si gjithmonë, pa kushte.

Falënderim i thellë e i përjetshëm për ju mbështetësit e mi të vërtetë e të West Side Family – JU jeni alfa dhe omega, rrënja dhe arsyeja pse vazhdojmë rrugën tonë çdo herë më të fortë.

Ky kapitull mbyllet, por rruga vazhdon, në skenë, në muzikë, në çdo koncert dhe çdo event ku do takohemi sërish – më të lirë, më të fortë, më të vërtetë se kurrë.

Ju dua e ju duam!

PUBLIKU, PUBLIKU DHE VETËM PUBLIKU

I juaji, MIRI