Vert është një nga artistët e rinj por mjaft të talentuar të tregut muzikor shqiptar. Ai është një ndër të paktët në Shqipëri që bën muzikë të rrymës “Trap”, gjë për të cilën foli më shumë i ftuar në studion e “Lancio”, por edhe mbi këngën e tij më të re “333”…

Pse mendon që producentët apo menaxherët nuk i japin shumë rëndësi kësaj rryme muzikore?

Nuk e di, të them të drejtën as unë nuk e kam studiuar shumë. Thjesht mua më vjen më kollaj që të bëj këtë rrymë. Kam eksperimentuar dhe me gjëra të tjera, që po e mendoj a t’i publikoj apo jo sepse nuk dua të dal shumë nga vetja ime. Më pëlqen të eksploroj, kam nja 2-3 projekte që janë ndryshe nga stili im, që mendoj t’i sjell pas ca kohësh. Është diçka që nuk e ka bërë asnjë në Shqipëri deri tani. Është një stil i lezetshëm, që para 30-40 vitesh ka pasur një ‘boom’ shumë të madh. Është një zhaner shumë i lezetshëm për të bërë muzikë dhe jam munduar ta përshtas me stilin tim.

Si e sheh tregun muzikor në lidhje me artistët e rinj?

Për ne artistët e rinj është pak e vështirë që të gjesh hapësira ku mund të këndosh këngët e tua, që të shpalosësh talentin tënd e të tregosh sa aftësi ke. Komerciali sot nuk të fal fare. Unë nuk është se nuk e dua komercialin, thjesht unë kam zgjedhur që të bëj këtë gjënë që për mua është shumë ‘nice’.

Cila ka qenë pagesa më e madhe që ke marrë deri tani?

Unë ngaqë kam qenë artist i ri kam punuar edhe pa lek. Kam marrë dhe shuma të vogla, rreth 5000 apo 7000 lek. Është shumë e vështirë sot si një artist i ri që të gjesh një skenë që të tregosh se çfarë di të bësh. Por kur do eksperiencën, do bësh dhe tolerime. Të jem i sinqertë nuk kam nxjerr akoma lek nga muzika. Po të më kishe pyetur disa kohë më parë do thoja ndonjë shifër të çuditshme, por sot jam i kënaqur edhe me pak, mjafton që njerëzit më duan. Nuk synoj të bëhem milioner nga muzika.

Pse ke vendosur ta titullosh këngën e fundit “333”?

Kënga titullohet “333” sepse është një simbolikë për orën 3:33 e mëngjesit. Kjo këngë flet për një ndjenjë timen, nuk përcjell një mesazh siç shumica e këngëve të tjera që kam bërë. Thjesht është një gjëndje imja. Kam pasur një ndarje nga një person i dashur i imi. Vendosa që ta publikoj sepse mund të ketë shumë njerëz si puna ime.