Shpat Deda është një artist që nuk zhgënjen aspak në prodhimet e tij muzikore. Një artist që nuk prodhon muzikë komerciale apo “mainstream”, artisti arrin të tregojë me çdo projekt se këngët e tij bazohen në emocione të vërteta.

Prezantimi i tij si këngëtar për publikun e gjerë ka ndodhur pikërisht ne emisionin “Unplugged” në Top Channel. Më pas prezantohet në ‘Top Fest 5’ dhe triumfon me çmimin “Best New Artist”. Kënga e tij “Ënderroj” u kthye në një hit.

Histori dashurish pa fund kanë Shpat Dedën në sfond. Mes zjarrit të shkëndijave të para, oqeanit të dashurisë që rritet, dhe lotëve të humbjes, kënga e Shpat Dedës jehoi në një brez të tërë. Ninullë e përjetshme. Shkëndijë e shëndritshme. Ëndërr që nuk mbaron.

Shpat Deda është imazhi i artistit që transmeton paqe, me artin, zërin melodioz dhe kitarën e tij. Këngëtari prej pak kohësh na kishte paralajmëruar se do të vinte me një koncert tërësisht unik, ndryshe nga sa kishim parë.

Dhe momenti i shumëpritur erdhi. Shpat Deda solli koncertin e tij autorial më 19 dhe 20 maj në skenën e Katedrales Ortodokse në Tiranë. Me historitë e tij të dashurisë së jetuar dhe të humbur, me lotët, ëndrrat dhe ninullat.

Një repertor i pasur dhe performancë që do të mbahen mend gjatë në bashkëpunim me mjeshtrin dhe multi-instrumentistin e shquar, Visar Kuçi, dhe me producentin e njohur Tomor Kuçi, Shpat Deda nuk e zhgënjeu aspak publikun. Me një skenografi të veçantë skena e Katedrales Ortodokse u shndërrua në tempullin e Shpat Dedës dhe të ftuarve të tij specialë në një ‘udhëtim në fjalë e tinguj’.

Për të gjithë ata që nuk patën mundësi që ta shihnin live koncertin e tij të veçantë, mos u shqetësoni. Koncerti i ‘Udhëtim në fjalë e tinguj’ do të vijë gjithashtu dhe në “A Live Night”, në Top Channel dhe Top Albania Radio në 21 qershor në orën 22:00. Ne mezi po presim, dhe jemi të sigurtë që po ashtu edhe ju…