I ftuar në një lidhje telefonike për “Live From Tirana”, ka qenë Berat Haskaj, ose siç njihet ndryshe me emrin e tij rë artit Bennito. Artisti ka publikuar së fundmi projektin e tij më të ri të titulluar “Dej Saba‘h”, për të cilin na ka folur më shumë…

Si lindi ky projekt?

Ishte ideja që ne rinia pëlqejmë të rrimë deri në mëngjes. Deri në sabah ne në Kosovë e themi që do rrimë deri në mëngjes. Është një këngë shumë verore, për sezonin që jemi.

Si e kanë pritur njerëzit?

Shumë mirë, jam shumë i lumtur. Ka shumë njerëz që e pëlqejnë muzikën time. Sidomos pas bashkëpunimit me Soni Malaj. Jam shumë i lumtur për këtë.

A është e vështirë të depërtosh në tregun muzikor?

Ka shumë kosto financiare. Të duhet të xhirosh, të bësh videoklipe, kërkon para. Është pak punë e lodhshme, por pasioni që kam për muzikën nuk e bën aq të rëndë.

Si është të jetosh larg vendit tënd, më saktësisht në Zvicër?

Kam 12 vite që jetoj në Zvicër. Kam qenë koreograf, ku merrja pjesë në gara në shumë vende. E shoh që jeta këtu është më korrekte, I ke dyert më të hapura. Por gjithmonë më mungon Shqipëria, Kosova. Vij shumë shpesh dhe nuk është një pengesë e madhe. Unë vij gati 8 ose 9 herë në vit, nuk jemi aq larg nga Zvicra.

Sa mendon se mund të jesh paragjykuar për muzikën që bën?

Këtë që unë dua të bëj, nuk e bëj dot sepse publiku shqiptar nuk e do. Atë që ndjej unë, këtë ‘ghetto style’, është e vështirë të pëlqehet nga publiku. Unë bëj muzikë për publikun, jo për vete. Tregu shqiptar është pak egoist. Por kam pasur një shtysë nga artistët shqiptarë, producentët, falenderoj shumë Soni Malaj dhe Stine. Kemi shumë projekte të reja me të cilat po punojmë.

Si ka qenë të punosh me Soni Malaj apo me Stine?

Me Stine kemi bashkëpunuar në dy projekte, ia kemi kaluar shumë mirë. Jemi bërë edhe miq. Kurse Soni është një artiste e kompletuar, një këngëtare që e vlerësoj shumë, ka shumë stil. Ka qenë dëshira ime për të bashkëpunuar me të.

Po mendon të vish sërish me bashkëpunime të tjera?

Për projektin “Dej Saba‘h” kisha një ofertë për bashkëpunim me një artist nga Kosova, por nuk isha i gatshëm të pranoja. Tani po bashkëpunoj me dikë, por nuk mund ta tregoj derisa të përfundojë si projekt.