Kjo javë ka mirëpritur në “The Top List”, tre projekte të reja muzikore dhe nga ana tjetër po tre projekte më të vjetra janë larguar nga lista. Çuditërisht, tre këngë nga tre artiste femra (Sonia Vokopola – Ti je, Klodiana Vata – Jetë, Sheila Haxhiraj – Pourquoi), i kanë lënë vendin tre këngëve të reja nga artistë meshkuj (Sardi & Killua – Kjo nuk është këngë dashurie, Stine & Mr. X – Gocat, Kastro Zizo x Denny Njeto x Tironci – I penduari i fatit).
Në tregun muzikor shqiptar ekzistojnë shumë artiste dhe artistë. Edhe pse në rivalitet sa i përket karrierës së tyre, më së shumti ekziston një marrëdhënie shumë e mirë dhe të gjithë punojnë fort që të transmetojnë tek publiku shqiptar, më të mirën sa i përket muzikës.
Por në klasifikimin e “The Top List” gjenden më shumë artistë meshkuj apo femra? Nga një analizë e bërë në klasifikimin e 100 këngëve më të mira të muzikës moderne shqiptare në Top Awards, u arrit në përfundimin se një përqindje më e lartë i takon djemve.
Përkatësisht “The Top List” i kësaj jave ka 53 artistë meshkuj dhe 31 artiste femra. Ky është në fakt viti i gjashtë rresht që meshkujt janë më të shumtë në numër në krahasim me femrat për sa i përket listës së këngëve të “The Top List”.