Kënga e fundvitit e realizuar nga stafi i Top Media erdhi si dedikim për të gjithë shqiptarët këtë fundvit, e cila ishte inspiruar nga hiti i grupit West Side Family publikuar rreth vitit 2017, “Beso”. Mesazhi kaq i bukur i kësaj kënge vjen që në titull duke bërë thirrje për të besuar. Me anë të një deklarate falenderuese, grupi është shprehur ditën e sotme të ftuar në “Live From Tirana”:

Ndihemi realisht shumë të vlerësuar si grup, si West Side Family që në dhjetor jemi vlerësuar pozitivisht duke nisur me ftesën në festival, duke nisur me përzgjedhjen e këngës në derbin Tirana-Partizani dhe në fund duke zgjedhur këngën tonë në dedikimin e fundvitit nga Top Media.

Të pyetur e çfarë ndjesie kanë përjetuar në momentin kur kanë parë këngën e realizuar së fundmi, Armiri u shpreh:

Ai është një dedikim personal. Flori ia ka dedikuar djalit të tij, por e ka lënë përgjysmë për shkak të asaj çfarë ndodhi dhe vazhdimësia e këngës ishte dedikim për Florin. Ka një lloj mesazhi aq të madh ajo këngë, domethënë përveç asaj personal, saqë kur e shikon tani të realizuar, kupton që ai është më i madh sesa aq. Kjo ka qenë kënga e fundit e grupit me zërin e Florit, për të nisur një kapitull tjetër po me frymën e West Side Family.

Komentet e njerëzve kanë qenë padyshim pozitive duke u shprehur se ky projekt është rritur së bashku me to. Landi është shprehur:

Ne kemi konsideruar pjesë të familjes jo vetëm Florin, Mirin dhe Landin, por kemi konsideruar këdo që është ndjerë pjesë e saj qoftë një moment të caktuar. Kjo është ajo çfarë ne që duam. Një mesazh që u përket të gjithëve.

Projektet e ardhshme sigurisht janë shumë të veçanta dhe mjaft të rëndësishme për jetën e çdo artisti dhe grupi lajmëron se do të serviren atëherë kur të jetë momenti, por pa patur një ditë specifike. Sukseset e tyre kanë qenë gjithmonë të mëdha nga realizimi i projekteve të ndryshme, por për atë më të vlerësuar, grupi është shprehur:

Këngët më të shitura të rrymës moderne të realizuar nga grupi ynë është “Hou Çike”. Aty kemi marrë suksesin tonë më të madh dhe me shumë siguri është kënduar nga çdo person. Gjithashtu është një ndër këngët që kemi kënduar live më shumë se 8 herë në një koncert në Gjakovë.