Në një intervistë të dhënë së fundmi për “Top Awards”, Stine i premtoi fansave të tij se nuk do i mungonte tregut muzikor për një periudhe aq të gjatë kohore dhe duket se artisti po e mban më së miri premtimin e tij.
Këngëtari ka publikuar disa projekte muzikore, të cilat kanë rezultuar mjaft të pëlqyera për publikun shqiptar, qofshin ato ritmike apo balada. Sigurisht që Stine nuk mund t’i mungonte kësaj vere me një projekt muzikor, i cili ka ardhur mjaft ritmik dhe energjik. Falë mbështetjes së madhe nga ana e fansave, ky projekt muzikor është sugjeruar pafund, duke u bërë pjesë e klasifikimit që në javën e parë të publikimit.
I kontaktuar nga “Top Awards”, Stine ka dhënë më shumë detaje për projektin e tij, “Dashnia Dominante” si dhe ka shpejguar paraqitjen e shumëpërfolur të Kimikatit në këtë videoklip.
Top Awards: “Dashnia Dominante” për çfarë flet ky projekt muzikor?
Stine: Ky projekt flet pikërisht për atë çfarë thotë edhe titulli i kësaj kënge. Ashtu siç na ndodh në jetë të rrethohemi nga shumë dashuri, kjo është ajo që dominon mbi të gjitha.
Top Awards: Na zbulo më shumë detaje për këtë këngë, kush është kujdesur për realizimin e saj?
Stine: Detaje… Në këtë projekt ka patur shumë dyndje talentesh të fushave të ndryshme, kjo ishte edhe arsyeja që projekti erdhi deri këtu. Duke filluar nga vetë unë për çdo detaj të mundshëm si në ide të këngës edhe tekstit, ashtu edhe në idetë filmike. Më tej ka qënë “N-Music” që ka realizuar “Beat-in” e kësaj kënge dhe anën teknike të të gjithë videoklipit. Ndërsa organizatorët janë Ergys Bamci dhe Edi Ramenica.
Top Awards: Një këngë me shumë ritëm, ku shumë vajza dhe djem të moshave të ndryshme shijojnë muzikën e bukur, me kë keni bashkëpunuar për t’i gjetur dhe ku është xhiruar klipi?
Stine: Për balerinët është kujdesur Niko Spiro nga “Niko Akademy” dhe Andi Mura me grupin. Për pjesën tjetër të figurantëve është kujdesur “Tirana Fashion Model”. Bashkëpuntor të tjerë kam patur edhe Bashkinë Tiranë, “Brabar” që mundësoi atë makinën e bukur tipike latine.
Top Awards: Në klipin tuaj merr pjesë edhe aktori i Portokallisë, Olsi Bylyku, ishte e rastësishme apo e menduar mirë nga ana juaj?
Stine: Ajo ishte e gjitha një rastësi pasi në sheshxhirim kishim bllokuar rrugën që lidh rrugën e Durrsit me rrugën e Kavajës dhe në një nga momentet kalon Olsi dhe na sheh që ishim duke xhiruar. Ai zbret nga makina dhe futet direkt në plan të parë, duke qënë se jemi edhe miq shumë të mirë. Kështu që vendosëm ta lëmë si plan pasi erdhi krejt natyrshëm e gjitha.
Top Awards: Në tekstin e këngës keni përmendur “habibi” si dhe kënga nis në gjuhën spanjolle, pse kjo zgjedhje?
Stine: Ashtu më ka ardhur që në kompozimin e vijës melodike dhe nuk doja ta ndryshoja. Pastaj ne jemi popull ballkanik, jemi artdashës të shumë kulturave nëpër botë, kështu që pse jo dhe muzikën latine brenda dhe Azinë.
Top Awards: Do kemi këngë tjetër gjatë kësaj vere apo ky mund të konsiderohet kënga e këtij sezoni?
Stine: Patjetër që po. Mos them që do kemi disa kënge, jo vetëm një apo dy. Kështu që të shohim si do shkojnë të gjitha në kohë reale.