E ftuar ditën e sotme në emisionin “Live From Tirana” në Top Albania Radio ishte këngëtarja e mirënjohur Soni Malaj, e cila na ka treguar në lidhje me projektet e saj muzikore më të njohura deri më tani, kryesisht për zhanrin e saj më të njohur, baladat. Repertori i saj është një ndërthurje e shpërthimit dhe melankolisë, të cilat portretizojnë edhe natyrën personale të artistes, por duket se ndër vite janë mbajtur gjallë në kujtime ato këngë të cilat na kanë prekur shpirtin.
Këtu mund të përmendim “Ndarja” ose “Të dua ty”, e cila e pyetur në lidhje me preferencën e dëgjuesve të saj është shprehur:
Të dyja janë këngë që preferohen shumë nga çiftet, të cilat i kam interpretuar edhe nëpër dasma. Çuditërisht kur është martuar një çift më kanë kërkuar që t’i këndoj në dasmën e tyre këngën “Ndarja”. Nuk kam pranuar duke i sugjeruar që të këndoj diçka tjetër paksa më shumë dashurie, por ato kanë insistuar se donin pikërisht atë. Në momentin e celebrimit zakonisht preferohet “Të dua ty” ose “Shpirti im binjak”, ku çiftet e pëlqejnë shumë dhe krijohet një situatë me të vërtetë e bukur.
E pyetur se kush nga këto projekte është i preferuari i saj dhe i prindërve të saj, artistja është shprehur:
Personalisht më fle shpirti tek “Ndarja” ose “Të dua ty” pasi më janë bërë këngë të pandashme dhe njësh me veten. Kjo e fundit është himn i dashurisë për prindërit e mi, edhe pse është bërë pak e mërzitshme për mua. Ata i kanë dëgjuar këngët pasi janë publikuar dhe janë bërë pikërisht të famshme pasi publikoheshin vazhdimisht nga një radio. Me kërkesa muzikore kërkohej vetëm kjo këngë dhe mendova se është pikërisht ajo çka duan njerëzit. Një ditë e kam dëgjuar më shumë se katër herë dhe aty kam vendosur t’i realizoj edhe videoklipin.
Gjithashtu e dashur për publikun edhe për bashkëpunimet e saj me artistë të tjerë dhe suksesin e padiskutueshëm që kanë patur, Soni Malaj është pyetur se sa e përfaqësuar është ndjerë ajo në këto projekte që ka realizuar, duke nënkuptuar se bashkëpunimi me Flori Mumajesin ka lënë mjaft impakt në jetën e saj jo vetëm personale, por edhe atë artistike:
Nuk e them dot pasi ka qenë duet ajo këngë. Do të merret sikur jam akoma në dashuri nëse e them. Ndoshta historia jonë private bën që të dalin materiale të mira.
Por kur bëhet fjalë për këngët e saj të dashurisë, ato nuk kanë patur impakt vetëm tek jeta e saj, por edhe tek publiku që e ka përkrahur këto vite. Soni ndërkaq shprehet:
Kam takuar djem të ndryshëm në koncertet që kam bërë, të cilët kanë qëlluar mjaft romantikë. Ata më kanë treguar historitë e tyre të dashurisë që kanë përjetuar dhe gjithmonë më kërkojnë të këndoj këngën “Të dua ty”. Kur bëhet fjalë për ndarje nuk duan ta japin veten. Ndërsa vajzat preferojnë projekte të tjera.