Ndërkohë që gjatë verës erdhi super ritmike, dimri e solli më romantike se kurrë këngëtaren e dashur të publikut shqiptar, Soni Malaj.
“Pergjithmone” është kënga që Soni e publikoi ditën e të dashuruarve, ku në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, këngëtarja është shprehur se publikut i kishte munguar një baladë nga ajo.
Dhe kjo gjë është e vërtetë, pasi fansat që në javën e parë të publikimit, e kanë bërë këtë projekt muzikor pjesë të klasifikimit të “The Top List”. Ndërsa kjo javë ka rezultuar akoma më e suksesshme për artisten, pasi falë votave të publikut, “Pergjithmone” është ngjitur me 3 pozicione nga java e kaluar.
Me tekst të Taulant Skenderaj dhe kompozim të australianes, Susie Ahern, “Pergjithmone”, e cila së shpejti pritet të publikohet edhe në versionin anglez, për këtë javë pozicionohet në vendin e 43-të.
Ndërkohë që po shijon këtë sukses, në intervistën e dhënë, Soni ka treguar gjithashtu se ky vit do të jetë shumë interesant sa i përket projekteve të reja.