Soni Malaj është rikthyer në tregun muzikor më romantike se kurrë më parë. Ndërkohë që gjatë verës, artistja sjell këngë tepër ritmike, gjatë dimrit nuk mungojnë baladat nga ana e saj. “Pergjithmone” është projekti që është publikuar ditën e të dashururave, më 14 shkurt, një këngë e cila ka prekur menjëherë zemrat e publikut.
Që në javën e parë të publikimit, “Pergjithmone”, është futur në klasifikimin e “The Top List”, duke u pozicionuar në vendin 46-të. Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, Soni ka folur rreth këtij projekti muzikor si dhe arsyen se pse vendosi që “Pergjithmone” të vinte gjithashtu në versionin anglez. Ajo premton gjithashtu se ky vit do jetë shumë interesant sa i përket projekteve të reja.
TA: “Pergjithmone” të ka rikthyer më romantike se kurrë, të kishin munguar baladat?
Soni Malaj: Mendoj se publikut i kishte munguar një baladë nga unë. Unë stërvitem çdo ditë vokalisht dhe pjesë e mësimit janë edhe këngët me shtrirje të madhe vokale, kështu që këndoj shpesh balada.
TA: Je një këngëtare që di të këndosh shumë mirë edhe këngët ritmike edhe baladat, kush janë të preferuarat tuaja?
Soni Malaj: Absolutisht të dyja. Siç e shikoni, unë stërvitem çdo ditë fizikisht dhe vokalisht, si rrjedhojë i perfeksionoj të dyja dhe i posedoj të dyja shumë mirë.
TA: Na zbuloni disa detaje rreth “Pergjithmone”, kush është kujdesur për tekstin dhe muzikën? Po klipi ku është xhiruar?
Soni Malaj: Autorja e “Pergjithmone” është kompozitorja australiane, Susie Ahern, me të cilën fitova edhe në “Top Fest” me këngën “Me te jeton”. Për tekstin është kujdesur Taulant Skenderaj por na ka ndihmuar shume edhe vëllai i tij, Alban Skenderaj. Klipi është xhiruar në Shkup, me të besuarin e videoklipeve të baladave të mija, Alexander, ndërsa stilist është miku im i ngushtë Joni Peci.
TA: E publikuar ditën e të dashuruarve, “Pergjithmone” ishte një dhuratë për të gjithë fansat e tu?
Soni Malaj: Unë përgjithësisht baladat e mija i kam sjellë në muajin e të dashuruarve, kështu që nuk mund t’i shpëtoja edhe kësaj rradhe traditës time.
TA: Së fundmi keni bërë edhe versionin anglisht të këngës, pse kjo zgjedhje?
Soni Malaj: Sepse Susie i kishte bashkangjitur kësaj balade një tekst shumë të bukur në anglisht dhe tashmë ndjekësit dhe fansat e mi, nuk janë vetëm shqiptarë por më gjërë. Kështu që mendova pse jo të sjell një Soni me internacionale, duke sjellë edhe versionin anglisht.
TA: Që në javën e parë të publikimit, jeni bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List”, e prisnit këtë reagim pozitiv të publikut?
Soni Malaj: Për 20 vjet me rradhë publiku ka qënë një përkrahje shumë e fortë për mua, janë klane të ndryshme brenda mediave, që bëjnë të besohet e kundërta. Fansat janë rritur me mua, qëkur kam qënë në grupin “Spirit Voice” dhe mendoj se jam një nga artistet me fansat më besnikë.
TA: Një mesazh për fansat tuaj?
Soni Malaj: Në rradhë të parë dua t’i falenderoj për mbështetjen dhe dashurinë që më dhurojnë dhe pas çdo projekti më dërgojnë ato mesazhe aq të bukura, me fjalë aq të zgjedhura, që mua më lumturojnë pafund. Ky vit do jetë i mbushur me projekte mjaft interesante dhe unë do jem shumë pranë tyre. Të besojnë në vetëvete dhe të punojnë fort për të ndjekur endrrat e tyre, se në fund do dalin fitimtarë.