Elena Fezga, apo siç njihet me emrin e artit Fezz, ka publikuar së fundmi këngën e saj të parë. “Shine Star” është titulli i këngës së veçantë nga kjo artiste kaq e talentuar, që ka hyrë këtë javë në klasifikimin e “The Top List”. E ftuar në studion e “Wake Up”, Fezz ka folur më shumë për këtë projekt dhe jo vetëm…
Sa kohë t’u desh që të punoje këtë këngë?
Për pjesën audio, gjithë verën, sepse njoha producentin e këngës Fio Zanotti që është dhe autori në maj. Pastaj nga korriku filluam regjistrimet në studio dhe kënga u mbarua në fillim të shtatorit. Janë dy muaj regjistrime në studio. Për videon u desh një ditë e plotë, por kishte kohë përpara që u bë ideja.
Çfarë të ka shtyrë të sjellësh një këngë larg komerciales?
Brezi im është shumë më i afërt në zhanre të tjerë. Unë mendoj dhe nga fakti që kam studiuar muzikë klasike dhe nga fakti që isha në një akademi ku isha e frymëzuar nga shumë zhanre të tjerë, nga personat që më kanë ndjekur këto 17 vjet në akademi, jam afruar më shumë zhanreve të vjetër. Unë jam thënë gjithmonë që kam një gusto sikur të jem 50-60 vjeçe. Për mua ky është një zhaner që më afrohet shumë sepse është shumë emocional, shumë i vuajtur. Edhe ideja e videoklipit, skenave, historisë, ka qenë e Romina Rudës që është regjisorja. Kam menduar që për zhanrin që është kënga, që është dance, i afrohet soul dhe blues, që është një zhaner që lind në vuajtje, për punëtorët që ishin në Amerikë. Kështu që historia e videoklipit duhet të ishte me këmbë në tokë, sepse lidhet me zhanrin që sjell. Ka qenë produkt i duhur për mua në këtë moment të jetës dhe zhanrin që dua të sjell në karrierën time që sapo po fillon.
Si ishte takimi me Fio Zanotti?
Ma prezantuan disa miq të familjes. Ai e ka studion në shtëpi, në kodrat e Bolonjës. Më ftuan që të shkoja të këndoja diçka, të më dëgjonte zërin. Mendova si do shkoj aty, ai është një emër i rëndësishëm, ka punuar me më të mëdhenjtë. Është një person shumë i thjeshtë, i saktë në punën që bën dhe shumë profesional. Unë i këndova një këngë që e kam shumë fat, “At last” nga Etta James, improvizuam dhe në piano. Dhe më tha që kishte një këngë që e kishte në arkivë për shumë vite dhe nuk ia kishte dhënë askujt, që ishte “Shine Star”. E mësova për dy javë dhe i thashë që jam gati. Nuk e besoj dot, që një emër aq i rëndësishëm do më jepte këngën e tij. Jam shumë e lumtur, vazhdoj raportin me Fion, sapo më ka dhënë dhe dy këngë të tjera. Ai më ka këshilluar që për formimin që unë kam, të mos bëj gabimin që të bie në komercializëm.
Si ka qenë lidhja jote me Shqipërinë duke qenë se je rritur në Verona?
Unë kam pasur fatin që kam një familje që i ka ruajtur traditat dhe kulturën shqiptare. Unë vija çdo vit me pushime në Shqipëri. Shqipen e kam ruajtur sepse sa linda unë kisha dhe gjyshërit që erdhën andej. Këto vitet e fundit Shqipëria shihet ndryshe, e kanë vlerësuar edhe më shumë si shtet në Itali, por në fillim kur isha unë e vogël kishin shumë paragjykime. Në fillim e kisha pak siklet të thoja origjinën, por pastaj thoja me qejf që jam shqiptare.