“Sekret”, kënga fituese në Festivalin e 60-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin e Eurovizionit, është kthyer në një himn të këtyre ditëve. Ronela Hajati ka vendosur një rekord përfaqësimi në klasifikimin e Shkurtit në Eurovizion duke ngritur pritshmëritë në eventin që do të mbahet mes 10 dhe 14 Majit në Torino të Italisë.

Dy të panjohur që takohen rastësisht, përjetojnë një eksperiencë jashtë-kësaj-bote, të historisë së tyre sekrete të dashurisë shekuj më parë! Forca e dashurisë është e vetmja që mund të ndryshojë njeriun dhe shoqërine e për pasojë të ardhmen e saj. Paralelisht me historinë e dy të rinjve zhvillohet në mënyrë metaforike një thirrje për mbrojtjen e trashëgimisë sonë natyrore, përfaqësuar nga lumi i Vjosës.

Sekretet tona më të kyçura zgjohen krejt rastësisht nga një episod i zakonshëm, i cili i lë vend zhvillimeve epike që skaliten si në gur, në zemrat tona. Nën drejtimin e Ledion Liço dhe Rezart Gurashi, video epike e artistes shumë të dashur do të jetë në kanalin e You Tube të Eurovizionit, aty ku artistja ka korrur sukses si asnjë përfaqësues i Shqipërisë përpara saj. Protagonist i videos është edhe aktori i mirënjohur i teatrit, filmave dhe serialeve si edhe prezantues televiziv, Florian Agalliu.

Tashmë “Sekret” mirëpritet edhe në klasifikimin e 100 këngëve më të mira shqiptare në Top Awards. Jo vetëm kaq, por Ronela me projektin e saj ka arritur dhe një pozicionim shumë të kënaqshëm, duke u renditur në vend të 19-të në “The Top List”.