Gushti nuk është vetëm muaji i pushimeve, detit dhe netëve të gjata. Për disa, është edhe muaji kur kujtimet bëhen më të forta dhe mungesat ndihen pak më shumë. Pikërisht aty vjen kënga e re e Auron Devës, “Lot e mia”, si një refren për të gjithë ata që po kalojnë një dashuri të lënë pas.
Me një ndjesi të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, Auron Deva i këndon dhimbjes së një zemre që ende nuk ka mësuar të harrojë. “Lot e mia” është nga ato këngë që mund t’i dëgjosh në makinë gjatë një nate vere, me dritat e qytetit pas xhamit, ndërsa mendja të shkon te dikush që nuk është më pranë.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse kënga tingëllon kaq pranë publikut, sepse flet për një ndjenjë që shumë e kanë provuar, por jo gjithmonë kanë ditur ta shprehin.
Me “Lot e mia”, Auron Deva duket se vjen pikërisht për ata që gushti i gjen me zemrën pak më të brishtë. Të dashuruarit e zhgënjyer, ata që presin një mesazh që nuk vjen dhe ata që buzëqeshin gjatë ditës, por natën i rikthehen kujtimeve.
Një këngë për zemërthyerit e gushtit? Po. Dhe ndoshta edhe pak më shumë se kaq, një këngë që të kujton se edhe lotët kanë historinë e tyre.