Era Istrefi është rikthyer me “Bad” dhe, siç ndodh zakonisht kur një emër i madh shqiptar rikthehet në skenë, pyetja nuk është thjesht “a është kënga e mirë?”, por: a kemi përpara një rikthim të vërtetë apo thjesht një tjetër tentativë për të ndezur sërish zhurmën?
“Bad” vjen me atë dozën e stilit që Era e ka bërë markë, energji, attitude dhe një imazh që kërkon vëmendje. Por në një treg ku “cool”-i shitet me shumicë, nuk mjafton më të dukesh badass. Duhet edhe të thuash diçka që të mbetet në kokë.
Dhe këtu nis dilema.
Era nuk është një artiste që ka nevojë të prezantohet. Ajo e ka provuar se mund të dalë nga skena shqiptare dhe të bëjë zhurmë shumë përtej saj. “BonBon” dikur nuk ishte thjesht një këngë, ishte një sensacion. Pikërisht për këtë arsye, çdo rikthim i saj vjen me një problem të vogël, pritshmëritë janë më të mëdha se kënga.
“Bad” të jep përshtypjen e një rikthimi që do të duket i madh. Por a ndihet vërtet i madh? Kjo është pjesa ku publiku shqiptar, gjithnjë e më pak tolerant ndaj “hype”-it bosh, mund të thotë: “Mirë, Era… po pastaj?”
Sepse sot nuk mjafton një beat modern, një look i kuruar dhe disa poza që bëjnë Instagramin të ziejë. Një rikthim i bujshëm kërkon hit, identitet dhe atë magjinë e pakapshme që të bën ta dëgjosh këngën edhe kur nuk ke ndërmend ta dëgjosh.
Dhe ndoshta “Bad” nuk duhet gjykuar si “BonBon 2.0”. Ky do të ishte gabimi më i madh. Era ka ndryshuar, tregu ka ndryshuar dhe publiku po ashtu. Pyetja është nëse kjo Era e re po ndërton kapitullin e saj të radhës, apo thjesht po përpiqet të na kujtojë pse dikur na kishte të gjithëve nën kontroll.
Rikthim i madh? Potencialisht. Moment “WOW”? Ende jo tamam.
“Bad” mund të jetë fillimi i një epoke të re për Erën, por për momentin, titulli “rikthim i bujshëm” duket paksa i parakohshëm.
Pra, Era është back. Por a është BACK back?
Hajt mo… këtë le ta vendosë publiku.