E ftuar përmes një lidhje në Skype për emisionin “Pardon My French” në Top Abania Radio me Jonida Aliçkolli dhe Lei Kraja ka qenë artistja e mirënjohur Samanta Karavella. Prej vitesh, ajo shquhet për kontributin e saj në fushën e muzikës, ku së fundmi ka publikuar edhe albumin e saj EP të titulluar “Të dua” që përbëhet nga 5 këngë mjaft speciale. Ndërkaq, ju rikujtojmë se Samanta është në pritje të fëmijës së saj të parë.

Me bashkëpunime dhe kryesisht si kantautore, përveç se njërës këngë, cila ka qenë pika kulminante e frymëzimit të Samantës për të sjellë këtë EP?

Realisht, unë doja që t’i rikthehesha pak vetes. Unë gjithmonë jam njohur si Samanta baladave dhe e pashë që edhe publikut i kishte munguar ajo pjesë e imja dhe mendova që ishte momenti i përshtatshëm t’i rikthehesha pak vetes, pak baladave të mëdhaja siç i them unë ndryshe. U shkëputa për disa ditë në Dhërmiun tim, se ai është vendi im i origjinës prandaj i them Dhërmiu im. Çdo gjë nisi me një kitare akustike, me dallgët e detit që na shoqëronin dhe ishte shumë frymëzuese për mua. Ishin disa nga këngët që u realizuan atje. Unë doja që albumi të kishte më shumë këngë, por nga këngët që realizuam në Dhërmi ishin vetëm 2-3 këngët e para. Pastaj mora lajmin e bukur të bebit dhe frymëzimi u shtua akoma edhe më shumë. Gjatë procesit kam qenë në pritjen time të ëmbël, pasi albumi ka përfunduar në tetor të vitit të kaluar dhe ishte pikërisht kënga “Të dua” që unë isha në këtë pritje. Pas kësaj kënge, çdo këngë tjetër mori edhe një si të thuash frymë dhe albumi mori një identitet. Gjithçka ka ardhur shumë bukur, ashtu siç doja unë të vinte se kisha frymëzimin.

A bazohet ky album në ndonjë nga historitë e saj personale?

Nuk ka histori personale. E di që mund të tingëllojë pak klishe. Unë mendoj që si artiste ne duhet të japim emocion tek secila këngë edhe nëse historia nuk është e imja. Unë duhet të bëj më të mirën time. Të jap plotësisht emocionin që kërkon kënga. Madje dikush përpara disa ditësh më tha që unë jam një fazë shumë të lumtur të jetës tani dhe një baladë të mërzit. I thashë ‘për mua është e kundërta’. Edhe nëse mund të jem e lumtur, unë prapë do të jem personazhi i asaj kënge. Duhet t’i jap emocionin që i takon.