I ftuar në emisionin “Ndryshe” në Top Albania Radio ka qenë artisti i mirënjohur Dren Abazi. Një këngëtar, i cili me artin e tij ka arritur që të rrëmbejë zemrat e publikut. Në këtë intervistë ai ka zbuluar më shumë detaje në lidhje me karrierën e tij, muzikën dhe suksesin ndër vite…
Ai është rikthyer fuqishëm me projektin e tij më të ri, “Edhe një herë”, një këngë që vjen si një rrëfim i sinqertë emocionesh dhe ndjenjash të thella. I njohur për stilin e tij unik dhe interpretimin plot shpirt, artisti edhe kësaj here dëshmon se muzika për të nuk është thjesht tingull, por përjetim.
“Edhe një herë” mbart një atmosferë intime, ku çdo varg duket sikur flet drejtpërdrejt me dëgjuesin. Si lindi idea për këtë titull?
Është një titull që më pëlqeu më së shumti nga mundësitë që unë kisha. Zakonisht nuk kufizohem në idenë që duhet të nxjerr një fjalë nga teksti dhe të emërtoj këngën. Gjithësesi ishte një titull i mirë dhe komercial. I shkruajta dhe Armend Rexhepagiqit sepse ai e ka një këngë të famshme “Edhe një herë”, i thashë: Ta kam vjedhur titullin.
A ka lidhje kjo këngë me humbjen e të atit, me të cilën është përballur Dren Abazi?
Nuk dua të flas për të sepse nuk kam dashur as ta shfrytëzoj këtë gjë. Thjesht është një këngë të cilën unë e kam shkruar për gjithësecilin dhe besoj se gjejnë veten në këngë. Me idenë që secili ka humbur diçka apo është ndarë me dikë. Sepse edhe ndarja është po e dhimbshme ndonjëherë, pas vdekjes ndarja është e dyta.
Është penduar ai që nuk ka ndryshuar stil me muzikën e tij përgjatë viteve të karrierës?
Jo, absolutisht unë jam ky që jam dhe besoj që mundesh të më duash ose jo, por nuk mundesh të më injorosh.
Salsano e pyeti Dren Abazin nëse jetohet vetëm me muzikë dhe ai u përgjigj duke thënë se:
Unë besoj që me muzikë jetohet, po jetohet shumë mirë. Normalisht që unë po flas si një person që nuk kam as fëmijë për të mbajtur apo për t’i dërguar në shkollë. Ato janë obligime të tjera. Në stadin që jam unë, pa fëmijë dhe i pa martuar, me stilin e jetës që kam jetohet aq mirë.
Çfarë mendon Dren Abazi që e bën atë të veçantë në artin e tij?
Mendoj se secili është i veçantë në një mënyrë ose tjetrën, kjo nuk është një garë. Mund të jemi të ndryshëm.
Sa i përket rrymave muzikore që Dreni përfaqëson në cilën prej tyre ai e ndjen veten më të rehat dhe ka më shumë tërheqje?
Ndikimet janë të ndryshme dhe influencat janë të ndryshme. Arti në përgjithësi është diçka që krijohet në takim dhe në ndeshje me një ndikim tjetër. Nuk është autentik në sensin që duhet të jetë diçka e re gjatë gjithë kohës, ndikimet vijnë nga mënyra se si rritesh apo çfarë muzike dëgjon si fëmijë.
Cila është kënga që e përfaqëson Drenin?
“Mbreti i natës”!