Ronela Hajati ka rrëmbyer vëmendjen e rrjeteve sociale me publikimin e këngës së saj të fundit “TQR”, ku menjëherë është bërë mjaft virale. Dhe po, ka atë kuptim që jeni duke menduar…

Mund të themi se 2023 do të jetë viti i Ronelës, pasi ajo po merr gjithë kohën e saj duke krijuar projekte. E duket se artistja nuk ka aspak kohë të pushojë edhe pse ky vit sapo ka nisur.

Dhe këtë e ka treguar duke paralajmëruar se do të sjellë këngë të reja e ndër to është “TQR”. Ky projekt kaq interesant u prit mjaft mirë nga publiku, ende pa u publikuar, por duke u nisur vetëm nga titulli…

E në fakt askush nuk u zhgënjye, por përkundrazi mbetëm mjaft të surprizuar. Në tekst Ronela shpreh dhimbjen e saj për një ish-partner dhe madje nis një mallkim për personin tjetër që do të jetë me të.

Videoklipi ka pamje të shkëlqyera kinematografike: Ronela duket se prish dasmën e ish-it të saj, ndërsa pjesët e tjera e tregojnë Ronelën si një engjëll dhe si një mjeshtre që luan me fijet e disa marionetave prej druri.

Videoklipi përmban një pjesë ku look-u i Ronelës i bën homazh Frida Kahlo-s, ndoshta një referencë e vuajtjeve që Frida kaloi për shkak të pabesisë së burrave që takoi. E ç’të themi më shumë kur Ronela i ka shprehur të gjitha me ”TQR”…