“A Live Night” ka nisur tashmë dhe është pjesë e mbrëmjeve tona çdo të shtunë në orën 21:00 në ekranin e Top Channel. Teksa kemi shijuar performancat dhe intervistat më të veçanta nga dy artistët e parë, Arilena Ara dhe Yll Limani, edhe nata e tretë parashikohet të jetë zjarr.

Artistja që do të ndjekim këtë të shtunë në “A Live Night” është pikërisht Ronela Hajati. Në një natë performancash si kurrë më parë. Në shtëpinë e saj të dytë, Top Albania Radio! Si erdhi nga talent shows për t’u bërë diva e skenave? Na e zbulon vetë ajo!

Duke njohur Ronelën e dimë tanimë se performancat e saj do të jenë të zjarrta, ashtu siç ajo di, me talentin, energjinë dhe sinqeritetin që e karakterizon. E një nga këngët që do të performojë, sigurisht është edhe “Sekret” me të cilën përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion 2022.

Prodhuar në Studiot e Top Albania Radio, ky është një format origjinal i Top Channel dhe mban vulën e Ledion Liço. 13 episodet e tij sjellin 13 artistët më të dëgjuar dhe më të dashur nga shqiptarët kudo janë, në një qasje dokumentari muzikor, ku protagonistët rrëfejnë jetën e tyre personale dhe profesionale dhe këndojnë live hitet e tyre më popullore. Disa nga emrat e tjerë që do të jenë pjesë përveç Arilenës, Yllit apo Ronelës, janë dhe Besa Kokëdhima dhe Capital T. Do të na duhet të presim dhe pak për të zbuluar akoma më shumë.