Rrugëtimin drejt muzikës e ka nisur që e vogël e më tej ka zgjedhur të bashkëpunojë me Dj Arnon, kujtojmë këtu zërin e saj tek kënga “Molla” me Arnon dhe Killua. Më tej pas një kohe të gjatë vendosi të vijë solo, pasi iu desh të punojë më shumë me veten. Po flasim për artisten Jonisa Lako e cila preferon t’i shkruajë vetë tekstet e këngëve të saj. Së fundmi Jonisa ka publikuar albumin e saj të titulluar “Ego” i cili përmban 8 këngë, një album tërësisht në gjuhën angleze. Kënga e re “Ego”, ashtu siç ajo ka zgjedhur të titullojë dhe albumin e saj të parë është tashmë pjesë e Top Awards prej dy javësh, duke u pozicionuar në vendin e 39-të. E ftuar në “Wake Up” ajo na ka treguar më shumë lidhur me këtë projekt të sajin, por jo vetëm.
Lidhur me këtë album të sajin dhe arsyen se pse ajo vendosi që të dillte vetëm tanimë, Jonisa shpjegon:
Albumi titullohet “Ego. Ishte një zgjedhje e tillë sepse mendova se kam ndejtur për shumë kohë prapa kuintave. Dhe kam punuar shumë me veten, kam bërë shumë punë kreative në të shkruarit e këngëve dhe mendova pse jo, tani është momenti që të shpalos se për çfarë kam punuar gjithë këto vite.
Sa egoiste je Jonisa, përse ky titull?
Egoizmi ështe tek të gjithë ne, nuk mund t’i shpëtojmë dot. Do të ishte gënjeshtër të thoja që nuk jam egoiste, të gjithë jemi. Megjithatë, në këtë kontekst që e kam pasur, është më shumë për atë egon që prish marrëdhënien, çdo lloj marrëdhënie.
“Ego” po ashtu është dhe kënga e parë me të cilën Jonisa është vetëm në Top Awards, pasi kujtojmë që më parë ke qenë bashkë me Arnon me këngën “I got you”. Si i duket më mirë vetëm apo e “shoqëruar”?
Mendoj që gjithsesi bashkëpunimet janë ato që sjellin produkte edhe më të mira. Dhe albumi vetë ka qenë një bashkëpunim, edhe pse unë kam vendosur që të vij solo. Mendova që në këtë rast të vija vetëm për të përfaqësuar profilin tim, meqë deri tani kam qenë në një profil pak më elektronik.
Titujt e 8 këngëve të albumit ajo ka zgjedhur t’i shkruajë në një faturë tatimore… Si i lindi si ide, përse kjo formë?
Në fakt ajo ka qenë e inspiruar. Tracklist-a me të gjithë këngët e albumit ka qenë e frymëzuar. Thjesht e mendova si diçka estetike. Këtu nuk e kam parë që ta bëjmë dhe thashë pse jo.
Të gjitha këngët e albumit Jonisa i ka shkruar vetë?
I kam shkruajtur unë dhe me pjesën e produksionit më kanë ndihmuar shumë miqtë e mi, që i falenderoj shumë.
Prej sa kohësh ke punuar për këtë album, i cili mban 8 këngë?
Këto këngë mund të jenë shkruar që para 3 vitesh. Por është tjetër gjë që kur unë e mora vendimin që të gjitha këto këngë t’i përmbledh. Ka diku tek një vit. Nuk është pak, më është dukur si përjetësi.
Kush është kritiku më i madh i yti?
Vetja ime eshte kritiku im më i madh. Ata që janë afër meje më mbështesin shumë dhe e zbusin situatën. E dinë që mjaftoj unë me kritikat e mia (qesh).
Ke zgjedhur që të gjitha këngët t’i këndosh në anglisht, përse? Je në kërkim të famës ndërkombëtare, e sheh si një mënyrë më të shpejtë?
Jam përpjekur të mos ndikohem shumë tek kjo pjesë. Duke qenë se i shkruaj vetë tekstet, ka të bëjë se çfarë kam dëgjuar unë. Unë jam rritur duke dëgjuar këngë të huaja. Kam pak veshtrirësi të shkruaj shqip. Por së shpejti do të ketë dhe projekte shqip. Nuk kam pasur shumë kritika lidhur me këtë pjesë.
I sheh klikimet si një matës suksesi?
Nuk i vë re shumë këto gjëra. Nuk e kam përdorur si njësi matëse të suksesit tim. Jam akoma në fillimin e karrierës sime. E di që më pas gjërat do të vijnë vetë.