A ju kujtohet Retrovizorja? Grupi i njohur që lindi në vitin 2002 kur inçizuan dhe albumin e tyre të parë, kthehen më fuqishëm se kurrë. Së bashku me Elina Duni, Retroviorja vijnë këtë javë me “Mist” dhe “Si të humba ty”.

Retrovizorja u formua gjatë dimrit të vitit 2002 në Prishtinë nga Kreshnik Hoti dhe Bashkim Salihu. Pas pranimit të mirë nga publiku i albumit të parë ‘Polaroid’, Retrovizorja filloi bashkëpunimin me Elina Dunin e cila do të vazhdonte këndimin në dy albume të reja, ‘Lakuriq’ (viti 2004) dhe ‘I kaltër’ (viti 2009). Muzika e Retrovizores është një mishërim i një prej bashkëpunimeve të para mes artistëve nga Kosova dhe Shqipëria në këtë zhaner muzikor. Muzika e tyre inspirohet nga rrugët e Prishtinës teksa butësisht reflekton dialektet e Tiranës dhe Prishtinës, duke rezultuar kështu në një simbiozë të vërtet kulturore.

Në vitin 2004 kënga ‘Çka me ndodh tash’ nga albumi ‘Lakuriq’ u zgjodh Nr. 1 nga juria profesionale e rrjetit të radiove ballkanike ‘Crossradio’ ndërsa kënga ‘Rokstar’ u bë një hit i këtij zhanri muzikor që dëgjohet ende nga publiku. Në vitin 2014 Retrovizorja u prit shumë ngrohtë nga publiku i festivalit të mirënjohur ‘Dokufest’, që e vërtetoi edhe nostalgjinë e publikut si dhe stilin unik dhe epitetin e merituar të një ‘kult-bendi’ të hapësirave shqiptare.

Nga viti 2020 Retrovizorja filloi punën në albumin e ri të titulluar ‘Signals’ i cili pritet të publikohet gjate tetorit të vitit 2022. Ky album është iniçizuar në studio C në Prishtinë dhe është masteruar në Abbey Roads Studios në Londër. Single-i i parë i lançuar para disa ditëve i këtij albumi është kënga ‘Mist’.