Lyrical Son në bashkëpunim me Mc Kresha-n, kanë publikuar këngën e tyre më të re të titulluar “Dilem Jasht”. Ashtu si çdo këngë e sjellë nga dyshja e artistëve edhe ky projekt është pritur mjaft mirë nga publiku. Megjithatë, ishte një detaj që tërhoqi shumë vëmendjen.

Në videoklipin e këngës “Dilem Jasht” shfaqet vetëm Lyrical Son. Ndërkohë Mc Kresha mund të dallohet vetëm në një videoprojektor kur këndon pjesën e tij. Nëse mund të kujtojmë, ky i fundit ka deklaruar se do heqë dorë nga muzika. Në atë kohë artisti u shpreh se nuk mendonte se do të ishte një prind i denjë nëse do të vazhdonte të merrej me hip-hop.

Së fundmi ka patur përsëri disa thashetheme mbi reperin e njohur. Vetëm pak kohë më parë, u tha se Mc Kresha do të largohej nga muzika për shkak të fesë. Megjithatë, ky lajm rezultoi të ishte i rremë pasi ai po punonte me disa projekte muzikore. Sidoqoftë reperi është shprehur se momenti kur do të shkëputet nga muzika, nuk është i largët.

Mc Kresha i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë kaq shumë artit shqiptar dhe askush nuk do të donte që largimi i tij të ishte i përhershëm. Megjithatë, ne na mbetet vetëm të shijojmë projektin më të ri “Dilem Jasht”, i cili renditet momentalisht në vend të 20-të të klasifikimit në “The Top List”.