I ftuar në “Live From Tirana” ka qenë artisti i talentuar Gjergj Kaçinari. Ai është themelues i grupit rock Rool, i cili është rikthyer sërish projekteve duke publikuar një album së bashku. Dy këngë të grupit Rool janë tashmë dhe në klasifikimin e “The Top List”, “All Star” dhe “Nothing But A Dream”. Gjergji na ka folur më shumë për Rool, por dhe planet e ardhshme të tyre…
Si erdhi ky rikthim i grupit pas një periudhe kaq të gjatë pauze?
Është gati një dekadë që e lashë pezull. Unë e nisa Rool me dashamirësinë time për të bërë diçka në trajtën e grupit. Është një proces me shumë vështirësi që kërkon shumë përkushtim. Tani erdhi tamam e pjekur ashtu siç duhej, siç e kisha në kokë. Fakti që ka ndejtur aq gjatë duke pritur, u konkludua ashtu siç unë dua.
Sa e vështirë është të qëndrosh vetëvetja në tregun muzikor?
Nuk është as e lehtë, as e vështirë, thjesht nuk është fare treg. Këtu thjesht konsumohet një muzikë shumë e keqe, e turpshme. Profesionistëve do u vinte turp po të dëgjonin këtë muzikë pas 10 vitesh. Nuk ka prodhim. Unë po bëj këtë gjënë time, mirë do ishte që shumë muzikantë të bënin gjënë e vet mirë. Trendet ndryshojnë shpesh. Ose do ndjekësh trendin, ose veten.
Çfarë mund të na thuash për tekstet e këngëve të krijuara?
Kur mendova emrin, po punoja me një shokun tim që e kam pasur që nga klasa e parë, që tani jeton jashtë. Me të kam punuar dy nga tekstet “All Star” dhe “The Day Before Tomorrow”. Pjesa tjetër janë këngë të shkruara nga unë. Bashkëpunëtore shumë të madhe për anën vizuale kam një miken time Kejsi, që është kujdesur që ta sjellë sa më të kuruar dhe sa më stil në karakterin që kërkon. Teksti nuk ka një formulë fikse, ose më del ose s’më del. Ndryshe nga muzika. Kësaj rryme që unë bëj i vjen përshtat anglishtja. Pataj nëse dikush që është jashtë dhe e dëgjon dhe e kupton atë që dua të transmetoj, atëherë kjo është një gjë ekstra.
Po punoni ndonjë projekt të ri tani?
Unë kam skicuar albumin e tretë tani që po flasim, të dytin po e po. Por para se të hedh hapa më tej, dua që këtij albumi t’i bëj shërbimin që meriton. Shpresa ime e vetme është që ky album të dëgjohet, pastaj nëse pëlqehet apo jo, është çështje gustosh. Dua t’i përkushtohem këtij albumi. Do të realizohet dhe koncerti i promovimit të albumit, në çdo platformë. Do të realizoj dhe dy videoklipe të tjera. Ndoshta si sot një vit do të dalë dhe albumi tjetër, por të shohim.