Ai vazhdon t’i qëndrojë besnik muzikës  “rock”, me të cilën është rritur, jeton dhe që gjithmonë ka për të qënë baza e tij. Bëhet fjalë për artistin e njohur Kachinari, i cili ka vetëm pak javë që ka nxjerrë në treg projektin e tij më të ri muzikor, që duhet thënë është një tjetër perlë nga ai. Falë mbështetjes së publikut shqiptar, Kachinari është futur sërish në klasifikim dhe për këtë javë kënga e tij më e re, e titulluar “All I Want”, pozicionohet në vendin e 86-të.

Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, Kachinari ka folur më shumë për muzikën në përgjithësi dhe prurjen e tij më të re muzikore, “All I Want”.

TA: Vazhdon të bësh “rock” të bukur por a të shkon ndonjëherë ndër mend të ndërrosh rrymë muzikore?

Kachinari:Rock” nuk ka qënë thjesht muzika që unë kam ‘zgjedhur’ të bëj. Jam rritur me atë frymë, jetoj në atë mënyrë, ndjek atë stil dhe gjithmonë ka për të qënë baza ku do rrotullohet gjithçka e imja.

TA: Kush është skena në botë që ëndërron të performosh të paktën një herë?

Kachinari: Kam performuar disa herë në të njëjtën skenë me këngëtarët/grupet më të njohur në botë dhe mendoj që nuk është më qëllim të ‘preket’ skena por muzika që unë po krijoj të arrijë të shpërndahet denjësisht në performanca të një standardi të paprekur me parë nga ndonjë grup shqiptar.

TA: Vazhdon të jesh aktiv në klubet e natës?

Kachinari: Me klubet e natës mundohem të kem një raport “tërhiq’ e mos e k’put” pasi nuk dua të konsumohem në atë mënyrë por njëkohësisht mbetet aktiviteti më i dashur për mua.

TA: Teksti, muzika dhe gjithçka është bërë nga ty për projektin “All I Want”, sa kohë të është dashur ta finalizosh atë?

Kachinari: Përveç produksionit muzikor (përfshi tekstin), edhe produksionin e videos e kam realizuar vetë, montazh, etj. Video është filmuar nga Armand Luga, të cilin e falenderoj për punën. Për këngën është punuar gjatë Janarit pasi baza ka qënë krijuar në versionin e parë të saj e në gjuhën shqipe “Gjithçka Kerkoj”, 4 vite më parë me ish-grupin tim, The Curlies.

TA: Nga të gjitha këngët që keni publikuar derimë tani, a ekziston ndonjëra që ka domethënie të veçantë për ju?

Kachinari: Secila këngë ka dashur shumë kohë të krijohet, të shkruhet teksti/muzika e të finalizohet dhe me secilën prej tyre kam lidhje të ndryshme nga tjetra. Do të veçoja “Sweet Cruelty” si kënga mbyllëse e koncerteve masive si dhe kënga e parë që u prezantova me publikun si “Kachinari”.

TA: “All I Want” të rikthen sërish në “The Top List”, si ndihesh që publiku të mbështet jo vetëm duke të dëgjuar por edhe duke të votuar?

Kachinari: Në “Top List” kam qënë pjesë me çdo këngë që kam publikuar dhe ‘Sweet Cruelty’, më shumë se të tjerat, ka qendruar 6 javë në “Top 10”. Mendoj që ka ende pak shpresë që publiku të diferencojë materialet e punuara në standard të paprekur nga tregu jonë e këngë vërtet të sinqerta pa asnje interes të fshehur.

TA: Ka nisur puna për projektin e radhës apo është ende heret?

Kachinari: “Forevermore” është kënga e rradhës, video është gati, thjesht po i lë kohën e vetë “All I Want”.