Gjithçka nisi 6 vite më parë ku reperi i njohur, do të duhej të ishte pjesë e Top Awards, por papritmas, iku dhe postoi në Instagram një status kundër organizatorëve dhe kundër Ledion Liços, duke mos u mbështetur më mediatikisht nga asnjë kanal i Top Medias.

Duhet të kalonin vite që Noizy të bënte mea-culpa e te rikthehej. Noizy ka qenë i ftuar para pak ditësh në ”Wake Up” në Top Channel, për herë të parë pas kaq vitesh, ku ka rrëfyer më shumë për situatën e ndodhur asokohe, karrierën e tij dhe koncertin “Alpha Show” që do të mbahet më 14 gusht.

Gjithçka ka lidhje me incidentin e Top Awards gjashtë vite më parë, ku një marrëdhënie mes teje dhe Top Medias nuk ka ekzistuar dhe nuk funksionoi. Çfarë ndodhi papritmas?

Ideja është që jemi rritur dhe 6 vite nuk janë as shumë as pak, duhet të bëjmë gjëra të bukura dhe pozitive me energji të pastër. Kjo nuk mund të ndodhë nëse mbajmë hatërmbetje dhe nëse e mbajmë mendjen tek e kaluara. Unë jam këtu për të bërë gjëra të mëdha dhe këto bëhen vetëm duke bashkuar forcat dhe duke e lënë mbrapa negativitetin dhe të keqen. Dy forca të mëdha bëhen bashkë dhe nxjerrin dicka të bukur në dritë siç është aktualisht “Alpha Show”, koncerti i madh që do mbahet me 14 gusht. Të gjithë e dinë që Top Channel është nëna e shumë artistëve, nuk mund të flas për të gjithë por për mua personalisht Top Fest është skena e parë që unë kam shkelur dhe që i përket Top Channel. Kështu që mendova: u bë çfarë u bë, faji mbetet jetim dhe nuk jam këtu për të fajësuar askënd. Faji mbetet jetim. Ideja është që të ecim përpara dhe të hapim një epokë të re.

Postimi i atëhershëm ishte fyes jo vetëm ndaj institucionit por edhe Ledionit, u deshën gjashtë vite për të kuptuar rëndësinë për të treguar në një lloj forme që shumë vite kalojnë dhe kjo është mënyra që ne i dalim për zot gjërave që kemi thënë ndoshta është duke reflektuar, përpos faktit që është muzikë por edhe sepse jemi personazhe publik dhe kemi ndikim.

Mund të kishte ndodhur dhe më shpejt ‘pajtimi’, por angazhimi i tepërt nuk më ka dhënë kohë që të reflektoj mbi ngjarjen. Ideja është që unë jam gjatë gjithë vitit në udhëtime jashtë vendit me koncerte, vetëm tre ditë jam në Shqipëri. Merrem me koncerte dhe gjithcka është shumë e ngarkuar.

Kohët e fundit ne kemi parë një Noizy që ka vendosur të rregullojë marrëdhëniet, gjithë ky pozitivitet dhe kjo ndjenja e mirë për të rregulluar disa ura të djegura, për këdo që pyet nga buron?

I kemi bërë edhe disa vite, unë gëzoj 35 vjet dhe nuk ka gjë më të mirë që kur e mbyll rrugëtimin tënd si nga ana artistike por edhe në jetë. Kur kemi mundësi pse mos të gëzojmë dashuri dhe mbështetje, sidomos nga njerëz që dikur kemi qenë okej. Është koha që të ecim përpara dhe kur e kemi në dorë që të bëjmë gjëra të mira pse jo. Preferoj dashurinë dhe respektin para urrrejtjes 100% gjatë gjithë ditës. Besoj që ka të bëjë dhe mosha.

Noizy së bashku me ekipin e tij është duke u përgatitur për diçka shumë të madhe, e cila synon që të kthehet në traditë dhe të zhvillohet çdo vit. “Alpha Show” është një projekt gjigand duke u përgatitur në Sheshin Nënë Tereza. Një nga koncertet më të mëdha të realizuara ndonjëherë në vendin tonë për muzikën hip-hop dhe rap. Me artistët më në zë të momentit dhe më të mirë të kësaj rryme në trojet shqiptare dhe jo vetëm. Pse 14 gushti dhe si e ke konceptuar këtë koncert që pritet të konkretizohet më pas?

“Alpha Show” është emri i albumit që publikohet disa ditë para koncertit. Pse 14 gushti? Ne kemi më shumë shqiptarë që janë refugjatë në Itali dhe në Greqi, janë diku tek 1 milion shqiptarë që kanë emigruar në Itali. Ata kthehen nga mesi i gushtit. Unë kam edhe shumë bashkëpunime me reperët italianë. Mbase vititn tjetër mund ta afrojmë pak datën. Kam në plan që ta bëj si një koncert që bëhet çdo vit sepse mungon. Ti japim mundësinë që të gjithë shqiptarët të kenë një koncert të tillë.

Është menduar që pjesë e këtij koncerti të jenë emra të njohur si Loredana, Ylli Limani, Dhurata Dora, Kida, Ledri Vula, Xhensila Myrtezaj, Mc Kresha dhe shumë e shumë të tjerë. Me kë prej tyre ka qenë më e vështirë të konkludosh?

Sinqerisht jam i befasuar nga të gjithë artistët, këto që i përmendëm i kam miq shumë të mirë. Më është dashur thjesht një mesazh dhe të gjithë kanë thënë ‘po’ dhe mezi po presin që të vijnë në “Alpha Show”. Do mundohem të jap 101%.

Sa do të zgjasë koncerti?

Hapen dyert në orën 18:00 dhe do të zgjasë deri pas orës 01:00 në mesnatë. Shqipëria do të shikojë sigurinë më të lartë që ka parë ndonjëherë edhe pse nuk besoj se do të jetë e nevojshme. Kemi bashkëpunuar me njerëzit më të mirë që ne kemi.

Në gjithë këto vite je i komentuar shumë. Në 16 vite e sheh këtë koncert si pikun e karrierës tënde?

Është një ëndërr e çdo artisti si i vogël ashtu edhe i madh. Një nga gjërat më të mëdha që ne kemi parë deri tani 100% po. Është një nga gjërat më të mira dhe më të mëdha që kam bërë ndonjëherë.

Pas këtij rikthimi në Top Media dhe ’qetësimit të gjakrave’, Noizy ka hyrë në klasifikimin e ”The Top List” në Top Awards me dy projekte njëkohësisht. Bashkëpunimi me Yll Limanin, ”Alkool” pozicionohet në vend të 42-të, ndërsa ”Edhe një natë” me Xhensila Myrtezaj renditet në vend të 57-të.