Gjatë kësaj javë ka patur vetëm dy projekte të reja muzikore që i janë shtuar Top Listës. Klodiana Vata, është një nga hyrjet e reja, e cila ka vetëm një javë që ka nxjerrë projektin e saj të parë muzikor dhe është bërë menjëherë pjesë e klasifikimit zyrtar të “Top Awards”.
Falë sugjerimeve të publikut, kënga e saj e titulluar “Shi Lodre”, është futur në renditjen e 50 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, duke zënë vendin e 46-të.
Klodiana Vata ka nisur të merret me muzikë që në moshë të vogël, ekzaktësisht kur ishte vetëm 6-vjeç. Ajo ka qënë pjesë e disa konkurseve muzikore, ku është vlerësuar edhe me çmime.
Klodiana, e cila ka qënë gjithashtu edhe një nga ish-konkurrentet e “The Voice Kids”, ka marrë pjesë edhe në disa aktivitete jashtë Shqipërisë, ku ka fituar çmimin e parë në Festivalin Ballkanik për Fëmijë, organizuar në Shkup. Ajo ka përfaqësuar Shqipërinë në disa evente muzikore si Paris, Mantova dhe së shpejti në Brazil.
Në një intervistë të dhënë së fundmi për “Top Awards”, Klodiana ka folur më tej për projektin e saj të parë.
TA: Sa kohe ke që merresh me muzikë dhe cila ka qënë kënga e parë që ke kënduar në një skenë?
Klodiana: Me muzikë jam aktivizuar që në moshën 6-vjeçare pranë Qendrës Kulturore të Femijeve Shkoder ku për herë të parë kam marrë çmimin “Bilbilat e Vegjël Këndojnë”. Kënga e parë që kam kënduar në një skenë ka qënë “Je T’aime”.
TA: “Shi Lodre” është projekti juaj i parë muzikor? Kush është kujdesur për realizimin e tij?
Klodiana: “Shi Lodre” është projekti i parë si e rritur. Për realizimin e kësaj kënge kam punuar rreth një viti. Ideja ka qënë fillimisht e autorit të këngës, Pjaver Kroni, i cili më ofroi tekstin dhe ishte po ai i cili bashkëpunoi me muzikantin Klodian Rexhepaj, i cili ka bërë muzikën. Orkestrimi është realizuar nga Edi Balili ndërsa videoklipi nga Endi Hoxha.
TA: Pse ky titull, cila është domethënia e tij?
Klodiana: Sipas autorit, mesazhi i “Shi Lodre” është që ne t’i duam njerëzit për aq kohë sa i kemi pranë dhe jo kur i humbasim. “Shi Lodre” është diçka abstrakte, një ëndërr e panjohur ashtu siç është edhe muzika dhe melodia e kësaj kënge.
TA: Si ndihesh që je pjesë e “The Top List” që në javën e parë të publikimit?
Klodiana: Të qënit pjesë e ”The Top List” që në javën e parë më ka bërë të ndihem e vlerësuar dhe njëkohësisht kam ndjerë të më shpërblehet puna e 9 viteve.
TA: Një mesazh për ata që të kanë votuar…
Klodiana: I falenderoj nga zemra të gjithë për kohën që kanë gjetur të më votojnë dhe jam shumë e kënaqur që kënga ime është pëlqyer. Gjej rastin t’u them që mbështetja e tyre është shtysë për mua që në të ardhmen të realizoj projekte edhe më të mira.