“Top Awards”, që prej fillimit të tij ka qënë një nga mbështetësit me të mëdhenj të talenteve të reja dhe një ndër to është edhe Klaensa. E lindur dhe rritur në Londër, Klaensa sapo ka publikuar projektin e saj të parë muzikor, i titulluar “Më Mbaj”.

16-vjeçarja, e cila është rritur në një familje muzikantësh, ka nisur të merret me muzikë që në moshën 5-vjeçare, kur filloi të studionte violinë për dy vjet. Në moshën 7-vjeçare, Klaensa, nisi të merrte  mësime kënge dhe pianoje, të cilat ende vazhdon t’i praktikojë.

Klaensa ka performuar në disa koncerte në Londër, duke i prezantuar publikut anglez talentin dhe këngën e saj. Por edhe pse e lindur dhe rritur atje, Klaense nuk harron origjinën e saj, duke zgjedhur kështu të perfomojë edhe përpara publikut shqiptar në Londër, për festat e Nëntorit, të organizuara nga shoqata të ndryshme.

I publikuar rreth një javë më parë, projekti i parë i talentit më të ri në muzikën shqiptare, ka marrë menjëherë vëmendjen e publikut shqiptar, ku falë sugjerimeve, “Me Mbaj” është bërë pjesë e klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare, që në javën e parë të publikimit.

Me muzikë të Kledi Bahitit, tekst të FiFit, kjo këngë për këtë javë pozicionohet në vendin e 93-të. Se cili do të jetë pozicionimi i “Me mbaj”, javën e ardhshme, kjo mbetet për t’u zbuluar, të dielën në mesditë, në ekranin e Top Channel.