“Bomaye” titullohet projekti më i ri që i është bashkuar klasifikimit të “The Top List” këtë javë. Kjo këngë është sjellë nga dy artistë të rinj në listë, NITSU dhe ALBU. Por cilët janë ata? Zbulojeni më poshtë…

Për NITSU kemi shumë pak informacion, përveç se ato që ai ka ndarë personalisht me ne. Në thelb NITSU është një inxhinier zëri që ka punuar për vite në studion e tij së bashku me partnerin e tij të përjetshëm “Oster”. Ai e filloi gjithë karrierën e tij në Liège, Belgjikë. Një adhurues i madh i muzikës elektronike, është shumë e natyrshme që ai filloi të sillte këtë frymë në këngët e tij. Një vizionar i vërtetë, duke ndërthurur muzikën elektronike, urbane, club me zhanre të ndryshme artistike, në projekte si “So high”, “Drop it” apo “Bomaye”.

ALBU ka lindur në vitin 1997 në një qytet të vogël gjerman të quajtur “Lübbecke”, por pjesën më të madhe të fëmijërisë e kaloi në Kosovë. Për arsye personale familja e saj u transferua atje kur ajo ishte 3 vjeçe dhe së bashku me dy motrat e saj qëndruan atje derisa ALBU u mbush 11 vjeçe. Më pas ata u kthyen sërish në Gjermani. Këngëtarja nuk di të luajë vetëm me zërin e saj por edhe me publikun. Veshjet që bien në sy kombinohen me lëvizje intensive. Pasioni i saj për kërcimin filloi që në moshën 15-vjeçare. Për vite me radhë ajo ushtrohej dita-ditës dhe performonte kudo që mundej. Një ditë Oster, një producent belg i njohur për produksionet e tij të artistëve të mëdhenj evropianë e veçanërisht ballkanas, pa rastësisht ALBU në Instagram. Ai pa një potencial të madh tek ajo dhe e ftoi atë në studion e tij për të bërë këngë që do të shndërroheshin shumë shpejt në hite. Këngë të cilat do të ‘shkundnin’ turmën.

“Bomaye”, një projekt i veçantë i sjellë nga dyshja, renditet në vend të 92-të për këtë javë.