“A jena na” titullohet një nga prurjet më të reja muzikore në “The Top List”, kënduar nga Besa Morina. Falë sugjerimeve të shumta nga ana e publikut, kjo këngë është bërë pjesë e listës, duke u renditur në vendin e 73-të. Ky projekt muzikor është kompozuar nga “Cekic Beatz”, teksti nga Gent Fatali ndërsa klipi është xhiruar nga “Ego Films”.
Por kush është Besa Morina?
Besa Morina ka nisur të merret me muzikë që në moshë të vogël dhe madje paraqitjen e saj të parë në videoklip e ka patur kur ishte fëmijë gjatë periudhës së luftës në Kosovë me këngën “Ketu u linda, ketu do vdes”, një këngë me një tematikë të qëlluar në atë kohë.
Por Besa nuk u ndal me kaq, ajo vazhdoi të merrej me muzikë, duke publikuar këngë që janë dëgjuar në të gjitha trojet shqiptare, të cilat u finalizuan me një album prej 8 këngësh, ku disa prej tyre ishin të shoqëruara edhe me videoklipe. Artistja ka qënë pjesëmarrëse në disa festivale të njohura si “Top Fest” dhe “Nota Fest”, në të cilat është shpërblyer edhe me çmime.
Besa, e cila nuk është shkëputur asnjëherë nga muzika, ka studiuar dhe përfunduar masterin për muzikë në Fakultetin e Arteve. Momentalisht ajo jep mësim muzike në shkollën “Pjetër Bogdani”, një profesion pë të cilin ndihet tepër e kënaqur.
“Eshtë një profesion, i cili më përshtatet dhe gjej kënaqësinë të jap maksimumin tim tek brezat e rinj”, shprehet Besa.
Përveç muzikës, Besa është e angazhuar dhe në “Institutin e Kosovës për Politika Zhvillimore”, ku bëjnë zbulimin e talenteve të reja në muzikë. Pra në një farë mënyrë, ajo ka qënë gjithmonë pranë muzikës dhe muzika pranë saj.