Albulena Jashari ka lindur ne Prishtinë dhe është 28-vjeçe. Ajo filloi të merret me muzikë që në moshë të vogël. Albulena ka përfunduar Fakultetin e Arteve, dega Grafikë. Në vitin 2005 ajo ishte pjesëmarrëse në “Ethet e se Premtes Mbrema”, “talent-show” ku shkoi deri në finale dhe mori vendin e dytë. Përveç se të këndojë, ajo ka shumë pasion kitarën dhe shpesh prezantohet duke luajtur me kitarë.
Pas këtij talent-show, Albulena vazhdoi me festivale të tjera ku mori pjesë në festivalin “Rock për Rock” dhe u shpërblye me vendin e parë. Ajo njihet edhe si kantautore ku filloi të krijojë këngë personale në zhanrin “alternative” dhe me këngën e saj të parë “Spo du” u prezantua në festivalin “Top Fest 8”. Në vitin 2015 ajo u zgjodh si këngëtarja e cila do të përfaqësonte Kosovën në festivalin “Turkçe Vision” në Turqi ku u prezantua me këngën e saj “Naten e Mire” e përkthyer në gjuhën turke, në mesin e 22 pjesëmarrësve të shteteve të ndryshme.
Albulena vazhdoi të krijojë këngë dhe videoklipe në zhanre të ndryshme dhe gjithsej ka 9 këngë personale, ku 6 prej tyre janë të shoqëruar me videoklipe.
Projekti i fundit muzikor i këngëtares 28-vjeçare titullohet “Bashke” dhe është publikuar në fillim të muajit tetor. Edhe pse ka rreth 2 muaj që ka dalë në treg, kjo këngë, ka mundur të bëhet pjesë e “The Top List” këtë javë, duke u pozicionuar në vendin e 49-të.