“Dancing with the Stars”, është programi më popullor i kërcimit që bën bashkë personazhet më të dashur, që si kurrë më parë i shihni duke kërcyer në një shumëllojshmëri disiplinash. Së bashku me balerinët profesionistë, javë pas jave, VIP-at sfidojnë veten, në kërkim të pikëve të jurisë dhe votave të publikut, duke synuar çmimin e madh.

Të premten e kaluar vetë moderatorja e spektaklit, Bora Zemani ka treguar se këtë javë do të jetë një e ftuar speciale, ku nata do t’i kushtohet asaj. Bëhet fjalë për këngëtaren e njohur dhe shumë të dashur për publikun Elvana Gjata.

Elvana do të këndojë disa nga hitet e saj më mira dhe më të dëgjuarat nga audienca. Jo vetëm kaq, por ajo do të ulet së bashku me jurinë duke gjykuar dhe dhënë pikët për performancat e konkurrentëve që kërcejnë nën ritmet e këngëve të saj.

Se me cilat këngë do të kërcejë secili çift mbrëmjen e sotme dhe nëse Elvana do të na dhurojë dhe ndonjë kërcim në “Dancing With The Stars”, na mbetet të presim dhe pak për të zbuluar gjithçka. Bëhuni gati!