I ftuar në studion e “Live From Tirana” ka qenë një prej artistëve më të dashur e të talentuar të tregut, Stivi Ushe. Ai së fundmi ka publikuar këngën e tij më të re që mban titullin “Love”, që siç dhe kuptohet i dedikohet dashurisë. Stivi na ka folur më shumë për këtë projekt, por jo vetëm…
Si lindi kënga “Love” dhe a është një dedikim personal?
Dedikim personal nuk është, e kemi kaluar atë fazë. Se i bie që çdo artist me 100 këngë e të jenë 100 dedikime, nuk dalin.(qesh) Mendova të ishte një titull i thjeshtë dhe që të mbetet në mendje. I dedikohet pak Gen Z me këtë dashurinë “më do, s’më do”. Jam munduar të mos ta bëj shumë therëse edhe pse dramatike. Mendoj se ia dola atë që desha. Është pëlqyer shumë dhe më kanë dhënë komente të mira.
Po punon me projekte të reja që do të vijnë së shpejti?
Kam shumë projekte, por tani është faza që reflektoj dhe mendoj cila është e duhura për t’u lançuar tani. Kjo varet me kohën, me ndjesinë, preferencat muzikore. Gjatë gjithë kohës punoj në studio, mund të ndodhë që të publikoj një këngë që e kam bërë prej vitesh, por dhe që e kam bërë tani.
Sa e vështirë është të qëndrsh vetvetja në tregun tonë muzikor?
E gjitha është që të njohësh veten. Muzika është terapi për mua. Sa më shumë koha kalon e kupton se çfarë është e mira për ty. Tani dua të bëj gjëra që kam qejf unë.
Në fillim të këngës është një zë vajze që flet spanjisht, kush është ajo?
Për këtë duhet të falënderojmë djalin që bëri klipin, i cili tha se kësaj këngë do t’i shkonte një zë telenovelash spanjolle. Kjo është inteligjencë artificiale. Jam shumë i keq me marketingun, mund të thoja që shkuam në Kolumbi dhe gjetëm një kolumbiane të mirë dhe i dhamë mikrofonin por jo… (qesh).
Inteligjenca artificiale po hyn tani në çdo fushë ashtu dhe në muzikë, çfarë mendon për këtë?
Inteligjenca artificiale tani mund të marrë zërin tim dhe tëndin dhe t’i bëjë bashkë e të dalë një super duet. Inteligjenca artificiale mund të kopjojë çdo gjë deri në detjaet më të vogla, por jo emocionin dhe shpirtin e njeriut.
A ka një këngë tënden që të prek sa herë që i rikthehesh?
Po, ka. “Nëse vij” më ka ngelur si një lloj patente balade. Kam kujtime të bukura sa herë i kthehem asaj kënge.