Nilsa Hysi vazhdon të korrë një sukses të jashtëzakonshëm me “Doja doja”. Këtë herë ky projekt e ka pozicionuar artisten në vend të parë të klasifikimit të “The Top List” për këtë javë.

Kjo gjithashtu është dhe hera e parë që Nilsa renditet në fronin e Top Awards të 100 këngëve më të mira shqiptare të javës. “Doja doja” rezultoi një hit i menjëhershëm që rrëmbeu zemrat dhe gjithë vëmendjen e publikut.

Si për Nilsën, e cila ka deklaruar se e ka pëlqyer këtë projekt që me dëgjimin e parë, ashtu ka ndodhur dhe me ne. “Doja doja” të mbetet fare lehtë në mendje dhe të ‘fikson’ që ta ridëgjosh çdo herë.

Që në javën e parë të publikimit, kënga e saj arriti që të pozicionohet në vend të 5-të e duket se tani sa vjen e rritet në listë. Ashtu siç parashikuam dhe javën e kaluar, Nilsa arriti ta rrëmbejë fronin që e mbante Ledri Vula, Lumi B dhe Nuk me “Uma Love”.