Duket se performanca e Ardian Bujupit dhe Dj Dalool në “Top Music Awards” ka lënë një shije të mrekullueshme tek fansat e dyshes së talentuar.

Ndërkohë që është shndërruar padiskutim në një nga këngët më të dëgjuara së fundmi në klubet e natës apo nëpër makina, “Na jena njo” shumë shpejt do vijë me versionin e saj të ri në “iTunes”, të performuar për herë të parë në “TMA 2016”.

Dj Dalool është shprehur se versioni i këngës “Na jena njo” i prezantuar në “TMA” është krijuar enkas për këtë ceremoni ndarjesh çmimesh nga Avaxus dhe nga vetë ai.

“Dëshironim që edhe Ardianin ta sillnim në një mënyrë të veçantë të interpretimit por gjithashtu dëshironim të tregonim rëndësinë që Dj ka sot në tregun e muzikës botërore. Edhe pse tek ne është ende një gjë e re, me punën e madhe të të gjithë Dj-ve, do të kemi një ndryshim të madh në tregun muzikor shqiptar”, është shprehur Dalool për “Top Awards”

Por cila është e veçanta e këtij versioni të ri të “Na jena njo”?

“Eshtë krijuar për më shumë argetim”, thotë Dalool, duke shtuar se është i përbërë nga një intro gjigante me një version më “club” sesa origjinali.

Dj i talentuar i “Na jena njo” ka treguar se ai së bashku me Ardianin vendosën ta lançonin versionin e  “Top Awards” në “iTunes” për shkak të kërkesave të larta të fansave. “Menduam që pjesa e audios do ishte më mirë të lançohej në platforma dixhitale që nga “iTunes” dhe deri tek “Spotify” ndërsa me video do të publikohet së shpejti në Youtube”.

“Na jena Njo (Avaxus & Dalool Top Awards Special Edit)”, do të lançohet për të gjithë fansat në “iTunes” më 1 gusht.